Avokati mbrojtës i Jamarbër Malltezit, i cili mori masën e arrestit të shtëpisë pak ditë më parë, ka kërkuar gjatë ditës së sotme që të çlirohen nga masa e sekuestros preventive rreth 25 asete pasurore, midis tyre edhe llogari bankare, një vilë, apartamente, por edhe aksione të shoqërive që janë nën hetim për dosjen e privatizimit të kompleksit Partizani.
Megjithatë, menjëherë pas nisjes së procesit në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, Prokuroria e Posaçme dhe zonja Enkeleida Millonai kanë kërkuar që të përjashtohet nga trupa gjyqësore dhe gjykimi i kësaj çështje gjyqtarja e Apelit të Posaçëm Iliriana Olldashi, pasi sipas SPAK zonja Olldashi ka konflikt interesi.
Në këtë moment, pasi është depozituar kërkesa e Prokurorisë për largimin e Olldashit nga gjykimi i pasurive të Malltezit, ajo po shqyrtohet prej pak orësh nga një gjyqëtare tjetër. Gjyqtarja Iliriana Olldashi pak ditë më parë zbuti, por nuk ka argumentuar ende vendimin masën e ‘arrestit me burg’ në ‘arrest shtëpiak’ për Jamarbër Malltezin.
Nga ana tjetër, kjo kërkesë e SPAK ndodh pak orë përpara se ditën e nesërme në Gjykatën e Posaçme të shqyrtohet një kërkesë e avokatëve mbrojtës të Jamarbër Malltezit, i dyshuar për pastrim parash dhe korrupsion, si dhe një kërkesë e avokatit mbrojtës të ish-kryeministrit Berisha.
Të dy avokatët kërkojnë që të shuhet masa e sigurisë për dy të dyshuarit, pasi sikurse pretendon mbrojtja, ata nuk e morën në kohë vendimin e zbardhur të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe për këtë arsye duhet të shuhen masat e sigurisë të shpallura nga Shkalla e Parë.
Sërish kjo kërkesë pritet të shqyrohet nga Iliriana Olldashi, e cila gjatë ditës u kontestua nga Prokuroria e Posaçme SPAK, ndërkohë që një ditë më parë prokurori i Posaçëm, Arben Kraja konfirmoi për Top Channel përmes telefonit se do të bëjë rekurs për Malltezin dhe do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për të rikthyer atë në burg.
Ditën e kaluar gjithashtu Këshilli i Lartë Gjyqësor pati një reagim sa i takon sulmeve ndaj gjyqësorit dhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion duke apeluar për distancim dhe kërkuar të mos përndiqen gjyqtarë që japin vendime të kësaj natyre.
Top Channel