Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion kërkon të marrë në pyetje si persona të hetim Erzen Breçanin, Bujar Ajetin dhe Besmir Muratin.
Në kërkesën që i ka paraqitur Gjykatës, SPAK kërkon të marrë në pyetje të dyshuarit, ndërkohë që ka caktuar datën 23 nëntor, në orën 09:30 për seancën ndaj tyre.
Ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, u arrestua gjatë një operacioni policor të hënën në mbrëmje, nën akuzën e grupit të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Bujar Ajeti dyshohet për grup të strukturuar kriminal, trafik narkotikësh, kryerje e veprimeve nga organizata kriminale dhe veprën e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje.
Besmir Murati është i dyshuar për trafik kokaine. Grupi trafikonte kokainë nga Ekuadori dhe Kolumbia drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Me kërkesë të SPAK, u lëshuan 11 masa sigurie. Shumica e të kërkuarve janë jashtë shtetit dhe dyshohen për trafik ndërkombëtar droge.
Në kërkim është shpallur dhe i biri i Erzen Breçanit. Mes personave të implikuar, ka dhe punonjës policie. Në pranga ka rënë dhe shefi i krimeve të komisariatit nr.6, Dedan Gjoni, i cili dyshohet për veprën penale sigurim i kushteve për kryerjen e një vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Urdhër arrest ka dhe për Ervin Matën, i cili ka një lidhje krushqie me Erzen Breçanin. Policia nuk mundi ta arrestojë dhe e ka shpallur në kërkim. Mata është një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes që pati në vitin 2018 në një lokal në zonën e ish-Bllokut me Ervis Martinajn.
Top Channel