Vetëm një ditë pas shkarkimit shokues të tij nga OpenAI, kompani të cilën e bashkëthemeloi, Sam Altmanit i mbërriti një ofertë bujare nga Microsofti, që e konsideron një aset të vyer.

Nuk kaluan veçse pak ditë nga momenti ikur bordi drejtues i OpenAI mori vendimin befasues, dhe sot kompania me seli në San Francisko doli me një tjetër njoftim: “Kemi arritur marrëveshje në parim që Sam Altman të kthehet si shef ekzekutiv i OpenAI, tashmë dhe me një bord të ri ”, thuhet aty.

Shkarkimi i  Altmanit u pasua nga një letër e hapur e stafit që kërcënonte dorëheqje në masë nëse ai nuk rikthehej në detyrë. Edhe shqiptarja e famshme që u caktua CEO e përkohshme, Mira Murati, la të kuptohej se mund të largohej gjithashtu teksa shkroi në platformën X se “OpenAi nuk është asgjë pa njerëzit e saj”.

Altman e pranoi rikthimin, duke sqaruar se ai është dhënë mish e shpirt pas kësaj kompanie, e madje dhe ditët e fundit kishte bërë gjithçka që ishte e mundur për ta mbajtur të bashkuar ekipin e saj dhe misionin që i kanë vënë vetes.

Më tej, shtoi gjithashtu se firma do të forcojë akoma edhe më shumë “partneritetin me Microsoft”, që është dhe investitori më i madh i saj. Javën e kaluar, vendimi i bordit për shkarkimin e Altmanit solli edhe dorëheqjen e bashkëthemeluesit tjetër Greg Brockman, dhe e zhyti në kaos kompaninë lidere të inteligjencës artificiale. Brockman njoftoi edhe ai përmes një postimi një X rikthimin në OpenAi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA