Qeveria amerikane i dha një goditje masive firmës Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave.
Firma Binance ra dakord të martën që paguajë një gjobë prej rreth 4 miliardë dollarësh, ndërsa themeluesi dhe shefi i kompanisë Changpeng Zhao u deklarua fajtor për një krim që lidhej me dështimin e tij për të parandaluar pastrimin e parave në platformë.
Zoti Zhao dha dorëheqjen nga drejtimi ndërsa firma Binance pranoi shkeljet e shumta.
“Përdorimi i teknologjisë së re për të shkelur ligjin nuk ju bën novator, ju bën kriminel”, tha Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, i cili e quajti marrëveshjen si një nga dënimet më të mëdha të korporatave në historinë e vendit. Në bazë të marrëveshjes, Departamenti amerikan i Thesarit tha se Binance do t’i nënshtrohet vëzhgimit për pesë vite, mes të tjerash, edhe sigurimin e largimit të plotë të firmës nga Shtetet e Bashkuara. Binance është një kompani me qendër në Ishujt Cayman.
Zoti Zhao njihet si rivali kryesor i zotit Sam Bankman-Fried, themeluesit 31-vjeçar të firmës FTX, platforma e dytë më e madhe i kriptomonedhave përpara kolapsit nëntorin e kaluar. Zoti Bankman-Fried u gjet fajtor në fillim të këtij muaji për mashtrim dhe vjedhjen e të paktën 10 miliardë dollarëve nga klientët dhe investitorët.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se firma Binance lejoi në platformën e saj veprimtari financiare nga aktorë të paligjshëm, “duke mbështetur aktivitete që nga abuzimi seksual i fëmijëve, tek narkotikët e paligjshëm dhe terrorizmi, në më shumë se 100,000 transaksione”.
Firma Binance nuk paraqiti asnjë raport lidhur me aktivitetet e dyshimta për ato transaksione, tha zonja Yellen, dhe kompania lejoi mbi 1.5 milionë dollarë shkëmbime me monedha virtuale çka bie ndesh me sanksionet amerikane, përfshirë veprimtaritë nga Brigadat al-Qassam të Hamasit, al-Kaida dhe organizata të tjera kriminale./ VOA
Top Channel