Ndeshja e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, mes Brazilit dhe Argjentinës u karakterizua nga një tension i lartë në tribunat e Maracanas mes dy tifozerive respektive.
U desh ndërhyrja e forcave të rendit për të rikthyer qetësinë, edhe pse kjo ndezi edhe më shumë turmën e tifozëve të Argjentinës.
Këta të fundit u përleshën edhe me policinë teksa kjo situatë e shtyu ndeshjen me 27 minuta. Në fund, fusha vendosi në favor të Argjentinës që fitoi me shifrat 0-1, megjithatë për kapitenin Lionel Messi, rezultati kaloi në plan të dytë. Sulmuesi theksoi se policia braziliane goditi tifozët argjentinas, aty ku ishin edhe disa prej familjarëve të lojtarëve të kombëtares.
“Mund të kishte ndodhur një tragjedi. Ne i pamë forcat e rendit që po godisnin tifozët, nuk është hera e parë që diçka e tillë ndodh në Brazil. Edhe disa prej familjarëve tanë ishin në ato tribuna. Diçka e ngjashme ndodhi edhe në finalen e Kupës Libertadores.
Ata këtu janë të fokusuar, nuk mendojnë për fushën e lojës. Ne u detyruam të ktheheshim në dhomat e zhveshjes pasi na u duk e vetmja mënyrë për të qetësuar situatën. Ne vazhdojmë të bëjmë histori dhe të arrijmë suksese të mëdha”, u shpreh Messi.
Ndërkohë, sipas mediave, janë tetë personat e arrestuar nga policia teksa gjithçka nisi në momentin e himnit kombëtar të Argjentinës që u vërshëllye në masë. Në këtë ndeshje, tifozeritë nuk ishin të izoluara nga njëra-tjetra dhe në sektorin ku nisi sherri ishin të vendosur rreth tre mijë argjentinas. Ndeshja rifilloi vetëm pasi policia mundi më pas të ndante tifozeritë dhe të krijonte një kordon sigurie.
(kliko këtu për videon)
Top Channel