Propozimi i Komisionit Europian për heqjen e vizave edhe për serbët e Kosovës me pasaporta serbe, nuk i vjen për shtat Prishtinës zyrtare.

Qeveria e Albin Kurtit e bëri të qartë se pasaportat e strukturave ilegale serbe në Kosovë, nuk mund të pranohen. Madje, e cituar nga DW, ajo shprehet edhe e shqetësuar nga propozimi në fjalë, sipas të cilit vizat nga 1 janari i vitit 2024 duhet të hiqen edhe për qytetarët serbë të Kosovës, që kanë pasaporta serbe të lëshuara nga një Drejtori Koordinuese e Serbisë që funksionon në Kosovë.

Për qeverinë e Kosovës, kjo drejtori Koordinuese është strukturë ilegale e Serbisë në Kosovë dhe si e tillë duhet të cilësohet e jashtëligjshme edhe nga Komisioni Europian. Qëndrimi i saj është se qytetarët serbë të Kosovës duhet të pajisen me pasaporta të Kosovës që të mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, si të gjithë qytetarët e tjerë të vendit.

Ishte vetë KE-ja që pohonte prillin e këtij viti se liberalizimi i shumëpritur i vizave  për Kosovën që mori më në fund OK-in pas një periudhe të gjatë pritjeje, vlente vetëm për zotëruesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Drejtorisë Koordinuese, e cila funksionon në Kosovë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Komisioni tani ka ndryshuar qëndrim e thotë se nuk ka arsye përse serbët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë të mos mund të përfitojnë edhe ata nga liberalizimi i vizave. Numri dy i qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi ankohet se ky propozim i fundit i Komisionit nuk është diskutuar fare me Prishtinën zyrtare.

“Pasaportat e paligjshme të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsiderojnë komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme për ne. Qeveria e Kosovës e fton BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel”, u shpreh ai.

Top Channel