Kaosi në parlament përmes flakadanëve dhe zjarrit të hënën e shkuar, solli përsëri ndëshkime për deputetët e opozitës.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste iu drejtua me një kërkesë Komisionit të Etikës për përjashtimin me 10 ditë të gjashtë deputetëve të opozitës, por Sekretariati i Etikës vendosi masë ndëshkimore, vetëm për katër prej tyre Gazment Bardhin, Flamur Nokën, Bledjon Nallbatin dhe Flamur Hoxhën.
Ky sekretariat nuk mori masë ndëshkimore për deputetet Albana Vokshi dhe Sorina Koti për të cilat në kërkesë thuhej se nga çantat e tyre Bledion Nallbati mori një kuti kremi dhe një shishe parfumi me të cilat nga ndezja u prodhua zjarr.
PS kërkoi përjashtimin me 10 ditë të Sorina Kotit, Albana Vokshit, me argumentin se kishin fshehur në çanta lëndët piroteknike të cilat u ndezën në Kuvend; Flamur Nokës, i cili ndezi flakadanët; Bledion Nallbatit, pasi në një kuti kremi kishte fshehur pluhur kimik dhe përjashtimin e Gazment Bardhit e Flamur Hoxhës.
Kujtojmë se seancat e fundit plenare të Kuvendit janë karakterizuar nga kaosi dhe nuk janë zhvilluar normalisht.
Vetëm 5 minuta zgjati seanca plenare e së hënës, kur pritej të diskutohej projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vitit, “Projekt Buxheti 2024″.
Deputetët e opozitës grumbulluan sërish karriget në foltore, ndërsa u përplasën fizikisht me disa prej punonjësve të Gardës.
As kontrollet e shtuara në hyrje të Kuvendit nuk i ndaluan deputetët e opozitës të merrnin flakadanët, të cilët i ndezën në nisje të seancës plenare. Situata u bë më kaotike kur njëri prej flakadanëve mori flakë.
Top Channel