Garanci për kufijtë Kosovë-Serbi dhe bazën e re detare në Porto Romano! Rama nga Shkupi me dy kërkesa për NATO-n

22/11/2023 12:30

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe krerët e RMV-së, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë, ka kërkuar dy garanci nga Aleanca Veriatlantike; kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe bashkëfinancim për ndërtimin e bazës së re detare të NATO-s në Porto Romano.

Rama i kërkoi NATO-s të sigurojë akses në këtë pjesë të Evropës, duke theksuar se duhet të zbatohet sa më shpejt kërkesa e Shqipërisë për ndërtimin e bazës së re detare.

“Dëshiroj të theksoj edhe kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-S në Porto Romano të procedohet sa më shpejt sepse ne besojmë shumë që çdo gjë që ndodh hap pas hapi, e përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë, jo thjeshtë për Shqipërinë, as thjeshtë për krejt rajonin tonë, por edhe për vete NATO-n, e cila do të fitojë një tjetër akses të shpejtë në këtë anë të Europës, për çdo rast dhe për qëllimet strategjike të mbrojtjes së përbashkët.

Shqipëria ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024, edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2 %, siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për të gjitha vendet anëtare dhe ne do të vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar dhe shumë të përkushtuar për të forcuar kapacitetet tona, për të rritur efiçencën e forcave tona të armatosura dhe njëkohësisht mbetemi në frontin e vendeve të NATO-s një anëtar i përgjegjshëm dhe i palëkundur në të gjitha sfidat e përbashkëta”- tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama përsëriti edhe njëherë nevojën për shtim të forcave të NATO-s në Kosovë, duke theksuar se rasti i Banjskës nxori në pah rrezikun e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të konfliktit.

Sipas kreut të qeverisë, sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës nuk duhet të konsiderohet si rast sporadik, por paralajmërim. Rama i bëri thirrje Aleancës për ruajtje të kufirit Kosovë- Serbi nga NATO, pasi sipas tij ai është burimi i shumë të këqijave.

“Jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme, jo vetëm vëmendjen, por edhe trupat, të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike, e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike, e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet. Për këtë arsye theksova edhe sot në takim domosdoshmërinë  e rritjes së numër të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të trafikut të drogës, të aktiviteteve, të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë, edhe me aktivitetin politik, me sfond ultra nacionalist që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës i policisë së Republikës së Kosovës dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti, që siç e tha Sekretari i Përgjithshëm ka vetëm një vend, për t’u trajtuar, në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë“– tha Rama, duke shtuar se: “NATO duhet të jetë më e pranishme në Kosovë dhe e angazhuar me më shumë trupa për të siguruar kufirin mes Serbisë e Kosovës që është burim i shumë të këqijave nga i cili penetrojnë individë, grupe e forca që synojnë të destabilizojnë Kosovën.”

Kryeministri shqiptar i bëri thirrje Aleancës për të ndihmuar Kosovën në përshpejtimin e integrimit të saj në NATO.

“Është absurd që Kosova të pengohet në këtë proces”, tha kreu i qeverisë.

Rama propozoi që formati i ardhshëm i këtij takimi joformal të zhvillohet me praninë e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të NATO-s, por kanë marrëveshje partneriteti. Propozim ky, i cili u mirëprit nga sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

“Dëshiroj të bëj me dije që Sekretari i Përgjithshëm e priti me interes propozimin për të ndërtuar një format të një Samiti të NATO-S me Ballkanin Perëndimor ku të jenë të pranishëm, jo vetëm vendet anëtare të NATO-S në këtë rajon, por edhe vendet partnere të NATOS, pra faktikisht vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që këtu sot nuk janë të pranishme, si edhe pjesa tjetër e vendeve anëtare që janë në kufi me rajonin meqë kanë një interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe për progresin demokratik të rajonit”- tha Rama.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA