Më shumë se gjysma e shqiptarëve, 55.3% e konsideronin veten subjektivisht të varfër, sipas një studimi të Eurostat për vitin 2022.
Sipas gjinisë, 54.7% e meshkujve shqiptarë e konsiderojnë veten të varfër, përkundrejt 55.6% të femrave. Sipas grup moshave, të moshuarit janë ata që e ndjejnë veten më shumë të varfër në vend. Sipas të dhënave të Eurostat, 58.4% e të moshuarve mbi 65 vjeç e konsideronin veten subjektivisht të varfër. E lartë është dhe përqindja e fëmijëve deri në 18% vjeç që e mendojnë njëlloj, me 58.1%, nga 43% që është në Serbi. Kjo përqindje ulet në 54.5% për grupmoshën 18-64 vjeç.
Vendin e parë e mbajnë grekët, 68% e të cilëve kanë deklaruar se ndihen subjektivisht të varfër.
Treguesit subjektiv të varfërisë bazohen në rezultatet nga statistikat e Bashkimit Europian mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës, një mbledhje e të dhënave që kryhet në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së, si dhe në shumicën e vendeve kandidatëve. Treguesit përdorin, si bazë, informacionin mbi aftësinë për të përballuar jetesën.
Nga vendet e rajonit më pak të varfër ndihen serbët me 44%, Maqedonia e Veriut me 47.2%, Kosova 47.3 dhe Mali i Zi me 50.1%.
Eurostat thotë se sa më i ulët niveli arsimor, aq më e lartë është varfëria e perceptuar, teksa 66.8% e personave me arsim të ulët e konsiderojnë veten të varfër, nivele të ngjashme këto me vendet e rajonit. Për ata që kanë arsim të mesëm, shifra është 50.9%.
Për personat me arsim të lartë, treguesi përmirësohet dukshëm, një dukuri që konstatohet për të gjitha shtetet, me 28.3% të tyre që e konsideronin veten subjektivisht të varfër. Më mirë në rajon janë të arsimuarit e Serbisë, me 22.2%. Gjithsesi, në krahasim me mesataren europiane prej 9.2%, të arsimuarit shqiptarë ndihen tre herë më të varfër. Të arsimuarit shqiptarë, 28.4% ndihen pothuajse njësoj të varfër me shtetasit e Bashkimit Europian me arsim fillor 29.5%.
Top Channel