Departamenti amerikan i Shtetit i është përgjigjur interesit të Zërit të Amerikës në lidhje me një reagim për deklaratat e presidentit ukrainas lidhur me rrezikun rus në Ballkan.
Qëndrimi zyrtar lidhur me këtë çështje është se lufta e Rusisë kundër Ukrainës thekson urgjencën dhe rëndësinë e punës së Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë aspiratat e tyre për integrimin evropian dhe anëtarësimin në institucionet euro-atlantike”.
“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerët tanë evropianë dhe komunitetin ndërkombëtar për të çuar përpara reformat në qeverisje, në sundimin e ligjit, ato zgjedhore dhe në luftën kundër korrupsionit, që do të pakësonin shanset për ndikimin keqdashës rus dhe do të sillnin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe mirëqenie për rajonin”, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i cituar nga Zëri i Amerikës.
Javën e kaluar Departamenti i Shtetit dhe i Thesarit në SHBA shpalli sanksione që kishin në shënjestër këtë problem, raportin mes ndikimit rus dhe korrupsionit. Sanksionet u vendosën ndaj individëve dhe bizneseve në Ballkan për lidhje me Rusinë duke shpallur non grata politikanë serbë dhe ndaj 12 entiteteve në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
“Është kritike që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha zëdhënësi
Më herët pas deklaratave të presidentit Zelensky, zëdhënësi i BE-së Peter Stano kishte deklaruar se ndikimi keq rus në territorin e Ballkanit Perëndimor, nuk është shqetësim i ri. “Kjo është arsyeja pse ne po rrisim në fakt bashkëpunimin dhe ndihmën tonë për partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për forcimin e kapaciteteve dhe aftësive të tyre për t’u përballur me këtë formë të kërcënimeve dhe ndërhyrjet nga jashtë”, tha Stano.
Top Channel