Pesëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile të komunitetit serb në Kosovës kanë kundërshtuar thirrjet nga shoqëria civile në Kosovë, që Komisioni Evropian të tërheqë një propozim i cili kërkon që shtetasve të Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë, t’iu hiqen vizat.

Më herët gjatë 21 nëntor, edhe Qeveria e Kosovës, por edhe mbi 20 organizata joqeveritare në Kosovë, kërkuar që Komisioni Evropian të rishqyrtojë këtë propozim, teksa Kosova pret që liberalizimi i vizave të nisë së zbatuari më 1 janar të vitit 2023.

Përmes një letre dërguar komisionares evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, mbi 20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë tha se ky propozim i KE-së do të “sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës” përmes pajisjes me dokumente të Kosovës dhe “do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit”.

Por, organizatat joqeveritare serbe thanë se argumentet se heqja e regjimit të vizave për qytetarët serbë të Kosovës, që kanë pasaporta të Serbisë pengon integrimin e tyre në Kosovë, “nuk qëndrojnë dhe janë fyese”.

“Nuk do të integrohen më shumë serb të Kosovës nëse pajisen me pasaporta të Kosovës sesa numri i atyre që tashmë kanë nënshtetësi të Kosovës. Kjo rrjedh nga fakti se pasaporta nuk mund të merret pa letërnjoftim dhe vërtetim të shtetësisë. Me fjalë të tjera, një person që merr një pasaportë të re tashmë ka shtetësinë dhe kështu është tashmë i integruar”, u tha në reagimin e 15 organizatave joqeveritare serbe.

OJQ-të serbe thanë se organizatat joqeveritare shqiptare – që u janë drejtuar BE-së për këtë çështje – janë pikërisht ato që kanë ngritur zërin për vite kundër izolimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës “dhe tani në thelb po kërkojnë të njëjtën gjë: izolimin e një numri shumë të vogël të njerëzve”.

Në mesin e nëntorit, duke pasur parasysh liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, Komisioni Evropian propozoi që vizat të hiqen edhe për bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

Për t’u përfshirë edhe bartësit e pasaportave që i lëshon një zyre e veçantë në Beograd (zyra koordinuese) Komisioni ka propozuar ndryshimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Serbinë.

Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë. Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë./ REL

Top Channel