Në mëshirë të fatit, autoritetet u vijnë në ndihmë kafshëve që i shpëtuan flakëve në Brazil

21/11/2023 22:42

Shirat që ranë ditët e fundit në rajonin qendror të Brazilit i dhanë fund zjarreve rekord që ndëshkuan Pantanalin, moçalishten më të madhe në botë.

Zjarret, sipas AFP, vendosën një rekord historik për muajin nëntor, me 3957 të vatra sipas të dhënave të disponueshme nga autoritetet braziliane, gati nëntëfishi i mesatares historike për të gjithë muajin. Rajoni, i cili është shtëpia e një diversiteti të madh të faunës, përjetoi një nga skenat më të llahtarshme.

Sipas ekspertëve, zjarret e përsëritura në Pantanal janë shkaktuar kryesisht nga veprimet njerëzore, veçanërisht përdorimi i djegies së kontrolluar për rigjenerimin e tokës bujqësore. Por situata në fund të vitit është rënduar nga thatësira që po prek rajone të ndryshme të Brazilit, përfshirë Amazonën, pyllin tropikal më të madh në botë.

Sipas Fondit Botëror të Kafshëve të Egra (WWF), ajo është shtëpia e 656 llojeve të shpendëve, 159 gjitarëve, 325 peshqve, 98 zvarranikëve, 53 amfibëve dhe më shumë se 3500 llojeve bimore. Pas shuarjes së flakëve nga zjarret, autoritetet braziliane po ndihmojnë kafshët që i kanë shpëtuar djegies, por që në trup kanë plagë të shumta.

Top Channel