Grekë e shqiptarë ndjehen të varfër/ Ekspertja e ekonomisë: Personat me arsim të lartë paguhen sa ata të pakualifikuarit në Evropë

21/11/2023 19:46

Në Evropë 1 në 4 persona e ka ndjerë veten të varfër për vitin 2022, teksa raporti ngushtohet edhe më shumë për Shqipërinë tregojnë statistikat më të fundit nga Eurostat ku rezulton se më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare e perceptojnë veten subjektivisht të varfër.

Në bazë të të ardhurave dhe kushteve të jetesës, raporti nxjerr në pah një nivel të pakrahasueshëm të punonjësve shqiptarë me arsim të lartë me ata evropianë, të cilët ndihen tre herë më të varfër.

Pra shqiptarët me universitet e konsiderojnë veten të varfër gati në të njëjtin nivel me evropianët me arsim fillor.

“Kur je me arsim të lartë punon për shembull në sektorin bankar me një pagë që varion 600-800 mijë e cila është e pamjaftueshme për të kursyer apo për të rritur standardin e jetesës. Edhe pedagogët janë të keqpaguar”, tha Teuta Nunaj-eksperte ekonomie.

Gratë shqiptare në krahasim me burrat ndihen më të varfra, sipas Eurostat-it, teksa pamjaftueshmërinë e parave e vuajnë më tepër të moshuarit mbi 65 vjeç. Statistikat konkludojnë se në përgjithësi në Bashkimin Evropian varfëria është më e madhe te njerëzit me nivel arsimor të ulët, teksa përjashtim bëjnë 28.4% shqiptarët me arsim të lartë të cilët ndihen të varfër pavarësisht shkollimit dhe një pune të mirë.

“Niveli i pagave në Shqipëri për një person me arsim të lartë mesatarisht është sa paga që marrin punonjësit e pakualifikuar në Evropë”, shtoi më tej ajo.

Perceptimi për varfëri të lartë në komunitetin evropian e rendit Shqipërinë në vendin e dytë me 55.3%, ndërsa Greqia kryeson me 68.4 %.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA