Azerbajxhani akuzon Francën se po nxit një luftë të re rajonale

21/11/2023 16:11

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, akuzoi Francën se po krijon kushtet për një luftë të re në Kaukazin Jugor, duke furnizuar me armë Armeninë.

Muajin e kaluar, Franca arriti kontrata të reja për të furnizuar me pajisje ushtarake Armeninë.

“Franca destabilizon jo vetëm shtetet që ka pasur koloni në të kaluarën dhe që ka tani, por edhe rajonin tonë, Kaukazin Jugor, duke mbështetur tendencat separatiste dhe separatistët”, tha Aliyev gjatë një konference për shkolonizimin në Baku.

“Duke armatosur Armeninë, ajo zbaton politika ushtarake, inkurajon forcat revanshiste në Armeni dhe përgatit terrenin për nisjen e luftërave të reja në rajonin tonë”, shtoi presidenti azerbajxhanas.

Ende nuk ka ndonjë reagim nga Parisi për këto deklarata.

Baku dhe Jerevani kanë zhvilluar dy luftëra në tri dekadat e fundit, por Aliyev shënoi një fitore të rëndësishme në shtator duke rimarrë rajonin e kontestuar të Kabarakut, ku armenët etnikë kishin gëzuar një pavarësi de facto që nga fillimi i viteve ’90. Mbi 100.000 armenë etnikë që nga ofensiva e shtatorit janë larguar për në Armeni.

Azerbajxhani tani është në një pozitë të fuqishme për të fituar avantazhe në një marrëveshje të paqes me Armeninë. Por, Bakuja gjithnjë e më shumë po merr një qëndrim të ashpër ndaj shteteve perëndimore, veçmas ndaj Francës dhe Shteteve të Bashkuara – dy shtete që kanë komunitete të mëdha të armenëve etnikë.

Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe Rusia për vite të tëra kanë tentuar që të ndërmjetësojnë një marrëveshje të paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Por, deri më tani këto përpjekje kanë dështuar.

Në herët gjatë javës, kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, falënderoi BE-në për punën që po bën që të sjellë më afër një marrëveshje të paqes, por tha se të dyja palët “ende po flasin me gjuhë të ndryshme diplomatike”./ rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA