Prokuroria e Posaçme ka ka dhënë pretencën për ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj dhe 5 personave të tjerë të cilët akuzohen për çështjen e tjetërsimit të pronave tek “Rana e Hedhun”.
SPAK kërkoi 4 vite burg për Frrokajn, kërkesë e cila nëse miratohet konvertohet në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për 5 personat e tjerë u kërkuan përkatësisht nga 2 vite secili, me heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.
Për Sokol Tomën me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Drejtor i Zyrës së Urbanistikës Bashkia Lezhë, i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal kërkohet dënimi me 2 vite.
Për Bledar Carën me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, jurist pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal kërkohet dënimi me 2 vite.
Për Gjovalin Markun me detyrë, në kohën e kryerjes së veprës penale, nëpunës në Bashkinë Lezhë, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal kërkohet dënimi me 2 vite.
Për Juxhina Memën dhe Adiona Martinin me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale nëpunëse në Bashkinë Lezhë, të akuzuara për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal u kërkua dënimi me 2 vjet secilën.
SPAK kërkoi gjithashtu konfiskimin e 66 mijë m2 tokë në zonën e “Ranës së Hedhun”.
Sipas hetimeve të nisura që nga viti 2019, rezulton se janë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme 66 mijë metra katrore tokë në bregdetin e Lezhës, me vlerë 13 milionë euro. SPAK argumenton se është dokumentuar se në kundërshtim me ligjin janë përvetësuar sipërfaqet e mëdha.
Vitin e kaluar Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e këtyre pronave. Veprimtaria e jashtëligjshme ka filluar me përcaktimin e parcelës, e cila është në pronësi të shtetit gjetjen e personave të interesuar për t’u pajisur me tokë, falsifikimin e dokumenteve të pronësisë që nga origjina e pronës deri tek certifikata e pronësisë.
Sipas organit të akuzës në këtë veprimtari kriminale, personat përfitues në mënyrë të jashtëligjshme të pronave kanë përfshirë edhe persona të tjerë, ndër ta persona të afërt dhe të njohur më ta, duke ia kaluar në mënyrë fiktive pasuritë dhe më pas për t’i kaluar në pronësinë e tyre.
Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka vendosur marrjen në cilësinë e të pandehurit 10 persona, disa prej të cilëve vijuan gjykimin me proces të zakonshëm, e disa të tjerë me gjykim të shkurtuar.
Përveç emrave të mësipërm të pandehur u morën edhe Gjok Ndoka me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
Nikolin Shtjefni me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
Sokol Vocaj me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
Luigj Paloka me detyrë “topograf” në kohën e kryerjes së veprës penale i akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal dhe
Altin Mikaj përfitues i pronave të tjetërsuara në mënyrë të paligjshmeF, i akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë, gërma “c” i Kodit Penal.
Top Channel