Konsumimi ekstrem nga të pasurit dhe super të pasurit e përshpejton ngrohjen globale. Kërkesë për taksa të reja ndaj më të pasurve.
Të pasurit kanë një mënyrë jetese që është shumë më e dëmshme për klimën sesa të varfrit. Pabarazia sociale reflektohet edhe në krizën klimatike. Raporti i Oxfam zbulon një çekuilibër masiv. Ai bën thirrje për më shumë para për kalimin në energjinë e rinovueshme.
Në çfarë mase ndikon standardi i jetesës së njerëzve në krizën klimatike? Organizata e zhvillimit Oxfam hodhi një vështrim nga afër në këtë raport. Pasi analizoi të dhënat, ajo arriti në përfundimin se të pasurit dhe super të pasurit kontribuojnë në ngrohjen globale dhjetëra herë më shumë sesa më të varfrit.
Kështu, në vitin 2019, përqindja më e pasur e popullsisë së botës prodhoi po aq gazra të efektit serë sa pesë miliardë njerëzit, që përbëjnë dy të tretat e më të varfërve. Për më tepër, dhjetë përqindëshi më i pasur i popullsisë së botës ishte përgjegjës për rreth gjysmën e emetimeve të gazrave serë në botë. Rreth 53 për qind e gjermanëve janë në mesin e këtij dhjetë përqindëshi.
Raporti “Barazia klimatike: Një planet për 99 përqindshin” bazohet në konstatimin se emetimet e gazrave serë të njerëzve rriten me të ardhurat dhe pasurinë private. Shkaqet e përmendura përfshijnë udhëtime më të shpeshta me avion, shtëpi më të mëdha si dhe konsum më të dëmshëm për klimën në përgjithësi – në raste ekstreme në formën e vilave luksoze, mega-jahteve dhe avionëve privatë.
Kërkesë për taksa të reja
Manuel Schmitt, ekspert në Oxfam, tha për përfundimet: “Përmes konsumit të tyre ekstrem, të pasurit dhe super të pasurit po ushqejnë krizën klimatike, e cila, me valë të të nxehtit, thatësira ose përmbytje, kërcënon mjetet e jetesës së miliarda njerëzve, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta të Jugut Global.
Ai thotë se ajo që nevojitet janë taksa të reja për sipërmarrjet që dëmtojnë klimën, si dhe për pasuritë dhe të ardhurat e super të pasurve. Kjo do të rriste ndjeshëm hapësirën financiare për manovrim për kalimin në energjinë e ripërtëritshme. Por në fund të fundit, ne gjithashtu duhet “të lëvizim përtej sistemit aktual ekonomik dhe fiksimit në ndjekjen e fitimit, shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në braktisjen e stileve të jetesës të orientuara nga konsumi”.
Oxfam e prezantoi këtë studim përpara konferencës globale të OKB-së për klimën COP28 e cila fillon në fund të nëntorit në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Atje do të luajë një rol të rëndësishëm përdorimi i ardhshëm i lëndëve djegëse fosile si nafta, gazi dhe qymyri.
Gjermania dëshiron, së bashku me partnerët e saj në BE, të këmbëngulë në angazhime formale për të paktën trefishimin e zhvillimit të energjive të ripërtëritshme dhe për të dyfishuar shkallën e rritjes së efikasitetit të energjisë. Braktisja që rezulton si rrjedhojë nga lëndët djegëse fosile pritet megjithatë të jetë e vështirë, pasi shumë lojtarë, duke përfshirë vendin pritës, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe presidentin e caktuar të konferencës, Sulltan Ahmed al-Jaber, janë të lidhur ngushtë me industrinë e naftës dhe gazit./DW
Top Channel