Qindra padi ndaj grupeve të teknologjisë për përmbajtje të dëmshme ndaj fëmijëve në SHBA (fotot)

20/11/2023 17:12

Disa qindra familje raportohet se kanë paditur grupet më të mëdha të teknologjisë në SHBA, ku thuhet se qëllimisht ekspozojnë fëmijët e tyre ndaj produkteve dhe përmbajtjeve depresive, vetë-lënduese apo të vetëvrasjes.

Taylor Little thotë për rrjetin BBC se ishte e varur prej rrjeteve sociale që prej moshës 12-vjeçare dhe kjo solli disa tentativa vetëvrasjeje dhe vite të tëra me depresion.

Taylor, tashmë 21 vjeçare është ende në krizë identiteti dhe përshkruan kompanitë e mëdha të internetit si “monstra të mëdhenj” që i japin fëmijëve në dorë qëllimisht produkte dëmtuese që krijojnë varësi.

Prandaj ajo dhe qindra familje të tjera po padisin katër kompanitë e mëdha të teknologjisë Meta – zotëruese e Facebook e Instagram – plus TikTok, Google e Snapchat.

Akuzuesit janë familje e shkolla nga e gjitha SHBA, të cilat pretendojnë se platformë janë krijuar qëllimisht për të dëmtuar fëmijët.

Avokatët përmendin rastin e 14-vjeçares së ndjerë britanike Molly Russell si një shembull i dëmeve me të cilat përballen fëmijët në rrjet.

Javën e kaluar familjet morën një mbështetje kur një gjykatë ndaloi që kompanitë të mbrohen me argumentimin e ‘lirisë së fjalës’ për përmbajtjet e tyre të mbrapshta, duke vendosur se platformat nuk janë publikues prandaj nuk mund të përdorin mbrojtje të tillë për përmbajtjet e dëmshme ndaj fëmijëve.

Gjyaktësi vendosi se kompanite nuk kryejnë verifikimet e moshës, apo rregullat e mbrojtjes prindërore.

Taylor, nga Colorado, thotë se rrjetet sociale i kanë mësuar vetë-lëndimin dhe pasigurinë e imazhit, duke kaluar rrjedhimisht në ankth e depresion kronik.

Avokatët përmendnin më tej rastin e 14 vjecares Molly Russell, nga Londra që vrau veten pas ekspozimit ndaj një serie përmbajtjesh negative e depresionuese në Instagram.

Hetimet vendosën se ajo vdiq nga “depresioni dhe efektet negative të përmbajtjeve online”.

Taylor thotë se dhe historia e saj është e ngjashme me këtë.

“Ndjehem me fat që kam mbijetuar. Më thyhet zemra kur dëgjoj për Molly. Tani që e kam kuptuar djallëzinë kam mësuar ta dua jetën, por më parë nuk besoja se do të arrija deri këtu”.

Ajo shton se është e vendosur të vijojë përpara me denoncimet:

“Ata e dinë që fëmijët vdesin me këtë dhe nuk i bëhet vonë. Ata fitojnë para me vdekjet tona”, tha ajo.

FOTO GALERI
1/3
Taylor Little thotë për rrjetin BBC se ishte e varur prej rrjeteve sociale që prej moshës 12-vjeçare dhe kjo solli disa tentativa vetëvrasjeje dhe vite të tëra me depresion.

Top Channel