Mes zjarrit dhe flakadanëve shumëngjyrësh/ Mbyllet seanca e pazakontë plenare! Miratohet në parim “Projekt Buxheti 2024”

20/11/2023 10:07

Vetëm 5 minuta zgjati seanca plenare e kësaj të hëne, kur pritej të diskutohej projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vitit, “Projekt Buxheti 2024″.

Deputetët e opozitës grumbulluan sërish karriget në foltore, ndërsa janë përplasur fizikisht me disa prej punonjësve të Gardës.

As kontrollet e shtuara në hyrje të Kuvendit nuk i ndaluan deputetët e opozitës të merrnin edhe këtë seancë flakadanët, të cilët i ndezën në nisje të seancës plenare.

Zjarri në Kuvend

Situata u bë më kaotike kur njëri prej flakadanëve mori flakë, i cili u fik nga punonjësit e Gardës.

Deputetët e opozitës kundërshtuan vendosjen e Gardës në Kuvend, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha hyri live në Facebook.

Berisha live në Facebook: Buxheti i vjedhjes më të madhe të tyre, buxheti i gjobës ndaj shqiptarëve, i shpërdorimit, i rrugëve të cilat kushtojnë 12 mln euro kilometri, buxheti i ppp-ve. Sot në parlament janë 1340 gardistë brenda në ambientet përreth, Renea-s dhe forcat speciale. Opozita do të qendorë e pamposhtur në mbrojtje të të drejtave legjitime për të hetuar qeveritarët hajdutë që me vendimet e tyre kanë vjedhur dhe do vijojnë të vjedhin.

Noka: Po përdorni Gardën mish për top, nuk mbroheni ju me gardistë.

Mes kaosit dhe debateve maxhorancë-opozitë, “Projekt Buxheti 2024” u miratua në parim me 73 vota pro.

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë për shtyp menjëherë pas përfundimit të seancës plenare tha se “Projekt Buxheti” u kalua në mënyrë antikushtetuese dhe anti ligjore në një seancë që zgjati 5 deri 7 minuta.

“Ju e patë vetë skenën më të shëmtuar të këtyre viteve në parlament. Kaluan brenda 5 minutave aktin themelor të vitit, buxhetin e shtetit. E kaluan në mënyrë antikushtetuese, anti ligjore, sepse ky buxhet erdhi këtu jo mbi bazën e procedurave që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, por erdhi si një proces klandestin, i zhvilluar në mejhane me ahengje dhe në mënyrë të paparë”, tha Berisha.

Edhe deputeti Gazment Bardhi e konsideroi të jashtëligjshme këtë seancë plenare.

“Sa i përket betejës së opozitës, ne do ta vazhdojmë në Kuvend. Nuk do lejojmë punimet normale të Kuvendit. 4 minuta e 29 sekonda plenare, do të thotë që Kuvendi është futur në paligjshmëri. Në asnjë moment nuk kam deklaruar që do bllokojmë votimin, sepse hajdutët me mandat parlamentari i kanë votat për të miratuar ligjet. Ama beteja jonë është për t’iu treguar çdo qytetari që ky nuk është Parlamenti që i përfaqëson. Do ndjekim edhe hapa të tjerë institucional mbi vendosmërinë tonë”, u shpreh Bardhi.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së,  Bledi Çuçi ka deklaruar jashtë Kuvendit se situata kaotike në Kuvend është e njëjta skenë e krijuar nga opozita.

 “E njëjta skenë. E vetmja e re është miratimi i buxhetit më të madh publik në historinë e 32 viteve. Janë 7 miliardë euro që është dyfishi i buxhetit të 2013. Sot që ata duhet të flisnin, pamë të njëjtin skenar. E vetmja gjë që duhet t’i mbetet në mendje çdo shqiptari është buxheti që sapo miratuam 400 milionë euro plus për rritjen e paga”, u shpreh Çuçi.

Votimi i Projekt Buxhetit është një prej seancave më të rëndësishme të vitit në parlament, ndërsa ishin parashikuar për diskutime datat 20 dhe 21 Nëntor.

Këtyre diskutimeve i kanë paraprirë seanca të tensionuara e kaotike dy muajt e fundit, prodhuar nga ajo çfarë opozita e quan “rezistencë ndaj mos plotësimit të tre kërkesave të tyre”.

FOTO GALERI
25/38

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA