Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në SPAK së bashku me avokatin Ermal Yzeiraj ku do të merret në pyetje sa i përket koncesionit të sterilizimit të pajisjeve mjekësore.
Beqaj do të merret në pyetje në orën 12:00, ndërsa do të mbahet edhe seanca gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës ndaj tij.
GJKKO ka vendosur masën e sigurimit “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin. Beqaj do duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15:30.
Prokurorët e SPAK prej tre vitesh e kishin nën hetim ish ministrin socialist të Shëndetësisë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrje në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.
Sipas prokurorisë speciale, këto shkelje të ish-ministrin Ilir Beqaj lidhen me koncesionin e sterilizimit. Për llogari të këtij hetimi, në 17 Gusht 2023 SPAK arrestoi ish zëvendës ministrin e shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj fitues i koncesionit të sterilizimit.
Top Channel