Eksportet kane vijuar të ulen edhe gjate muajit tetor. Në 10 muajt e parë të vitit janë 350 milionë euro më pak mallra të eksportuara.
Dy grupet më të goditura janë lëndët e para si dhe grupi i tekstileve dhe këpucëve. Në krahun tjetër edhe mallrat që hyjnë në vend kanë pësuar ulje të fortë që vjen edhe si pasojë e ngadalësimit ekonomik.
Për tetorin eksportet arritën vlerën e 37 miliardë lekëve, ulje me 4.3%. Edhe pse në ulje në krahasim me një vit më parë, tkurrja është ngadalësuar krahasuar me muajt e tjerë të vitit. Për këtë ka ndihmuar grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike si dhe materialeve të ndërtimit dhe metaleve, që pësuan rritje.
Nga krahu tjetër tekstilet dhe këpucët po vijojnë të vuajnë duke u tkurrur edhe në tetor, ndërsa nënçmimi i euros ka dhënë goditje të drejtpërdrejtë te ky grup. Edhe grupet e tjerat kanë ardhur me ulje, ku në sy bie ulja e eksportit të ushqimeve, që gjatë 8 muajve të parë njohu vetëm rritje.
Edhe importet janë ulur gjithashtu. Por, grupi i materialeve të ndërtimit dhe metalet ka vijuar të rritet duke sugjeruar ecurinë e mirë të sektorit ndërtimit në vend. Nga krahu tjetër importi i energjisë ka shënuar tkurrje të fortë nga një vit më parë, ndërsa çmimi për megavat/orë ka ardhur në ulje.
Gjatë tetorit te eksportet me partnerët tanë kryesorë tregtarë kemi rritje vetëm me Kosovën dhe Greqinë. Ndërsa tek importet rritje kemi njohur vetëm me Kinën dhe Gjermaninë.
Top Channel