Siç kishte paralajmëruar dhe siç pritej, ish kryeministri Sali Berisha mori mungesë për herë të dytë në SPAK.
Por refuzuar për herë të dyte prej vendimit të gjykatës që urdhëron detyrim paraqitje, SPAK nuk ka vendosur ende se si do të procedojë.
Nëse do vijojë të presë ish kryeministrin të hënat vijuese dhe konkretisht të datave 4 dhe 18 dhjetor. Apo mungesa e radhës e ish kryeministrit Berisha do të konsiderohet prej kësaj të hëne si pika që ka mbushur kupën. Për rrjedhim dy prokurorët e dosjes Partizani do të kërkojnë ashpërsim të masës dhe ndryshim të saj që do të vinte në lëvizje këshillin e mandateve. Situata mbetet në dilemë dhe për shkak të një procesi tjetër të mbajtur në apel dhe ku kundërshtohet masat e sigurimit personal.
Në një proces maratonë të nisur prej orës nëntë, në të njëjtën godinë ku Berisha mungoi, avokatët e tij e përfaqësuan në seancën ku ankimohen vendimet e gjykatës më të ulët, qe shpallën masën.
Avokatët i deklaruan gjyqtares së apelit Iliriana Olldashi se nuk ekziston vepra e korrupsionit pasiv, se gjykata shpalli masë ndaj një deputeti duke shmangur këshillin e mandateve se ish funksionari nuk është njohur me vendimin që u zbardh sipas tyre tej afateve.
“Kemi paraqitur të gjitha argumentet që jo vetme masat nuk qëndrojnë, por çështja është një farse. I kemi shpjeguar gjykatës pretendimet tona, shkeljet që janë bërë në shkallë të parë”-tha avokati Genc Gjokutaj.
Jamarbër Malltezi me argumentet e mungesës së provave kundërshtoi gjetjet e SPAK duke thënë se nuk ka qenë asnjëherë funksionar i lartë dhe se vepra nuk qëndron. Si mund të jenë pastruar para kur Malltezi është pronar pyeti avokati i tij . Pyetja tjetër retorike ishte si mund ta ketë ndryshuar Berisha destinacionin kur kjo ishte kompetencë e pushtetit lokal.
“Malltezi shpjegoi procedurën e privatizimi, mënyrën e përfitimit të pronës dhe atë normalitet të asaj procedure’, tha Gjokutaj.
Pasi dëgjoi për shtatë orë avokatët e Malltezit dhe Berishës, apeli vendosi qe të shprehet nëse do të lihen apo jo në fuqi masat e sigurimit personal, ditën e martë ora 11 .
Top Channel