Apeli i GJKKO-së ka shtyrë për të martën seancën gjyqësore për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezin.
Seanca do të mbahet nesër në orën 11:00.
Pasi doli nga GJKKO, avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj, u shpreh se dosja ishte voluminoze, ndaj gjykata nuk mori dot vendim.
“Ne kemi që në orën 9, në mënyrë shteruese kemi paraqitur gjithë argumentet që masat nuk qëndrojnë dhe çështja është një farsë… gjykata ishte në pamundësi për të dhënë vendimi pasi materiali është voluminoz dhe seanca u shty për nesër në orën 11:00”.
Berisha dhe Malltezi kanë ankimuar masën që gjykata ka vendosur ndaj tyre.
Ish-kryeministri Sali Berisha, që po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.
Javën e kaluar, përmes avokatëve mbrojtës, ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.
Të njëjtën kërkesë për shuarje ose zbutje mase kanë dërguar edhe avokatët e Jamarbër Malltezi, i cili është i dyshuar për korrupsion pasiv. Mbi Malltezin rëndon masa “arrest në burg”.
Top Channel