Ndarja e buxhetit për bashkitë/ Më shumë lekë për banor i takon Dropullit, më pak Tirana dhe Shkodra

19/11/2023 19:36

Në një analizë të fondeve që qeveria jep si transfertë të pakushtëzuar për 61 bashkitë, të pjesëtuara për numër popullsie, me të dhënat e marra nga CENSI 2011, Top Channel ka zbuluar kush merr më shumë dhe më pak në projektbuxhetin 2024.

Bashkitë që marrin më shumë lekë për frymë janë Dropulli, me një rekord kombëtar prej 49 mijë lekësh për frymë, ndjekur nga Himara me 33 mijë lekë për frymë, e më pas Fushë – Arrëzi me 35 mijë lekë, Këlcyra me 27 mijë lekë dhe Pusteci.

Ndërkohë, bashkitë që marrin më pak janë Tirana me 9 500 lekë, ndjekur nga Shkodra më pas Kruja, Roskoveci, Lushnja dhe Dimali.

Shkodra është qendra e qarkut që merr më pak lekë se të tjerat, përveç kryeqytetit, por në krahasim me Tiranën numri i banorëve është pesëfish më i ulët.

Sa i përket qendrave të qarqeve, çfarë bie në sy është Korça që merr 13 521 lek edhe pse ka më shumë banorë se Lezha dhe Berati. Vlora për 100 mijë banorë merr 12 250 lekë, më shumë se Kamza që ka të njëjtin numër banorësh.

Pabarazia e ndarjes në fonde shihet edhe brenda bashkive të së njëjtit qark. Berati me popullsi më të lartë, merr më shumë lek për frymë se Dimali dhe Kuçova. E njëjta situatë edhe për bashkinë Librazhd që merr më shumë lekë se Prrenjasi dhe Belshi, që është dhe bashkia më numrin më të ulët të popullsisë.

Pabarazi ka edhe në qarkun Lezhë, ku Kurbini si bashki më e vogël merr të njëjtën vlerë për frymë sa qendra e qarkut, rreth 11 500 lek/frymë.

Roskoveci është bashkia që vuan pabarazinë më të madhe, sepse merr të njëjtën sasi lekësh me Lushnjën dhe Fierin që kanë popullsi katër – gjashtë fish më të lartë.

Në qarkun Gjirokastër, Përmeti dhe Memaliaj që rezultojnë me të njëjtin numër banorësh si  kanë një diferencë prej 3 000 lekësh. Në qarkun Korçë, Pogradeci është më i keqpaguari me 12 500 lekë më 61 mijë banorë. Në qarkun Tiranë, më e paguara është bashkia Kavajë me 14 mijë lekë, edhe pse Vora dhe Rrogozhina kanë gati dy herë më pak banorë. Brenda qarkut Vlorë, Delvina me të njëjtin numër banorësh me Himarën merr 13 mijë lekë më pak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA