Inteligjenca artificiale po mësohet në auditoret shqiptare.

Universiteti Politeknik është i pari institucion arsimor publik që e ka hapur këtë vit akademik për studentët e ciklit të dytë këtë program studimi, ku nga 60 aplikime janë pranuar vetëm 15 studentë, ata me rezultate të larta e dhuntinë për të zbërthyer teknologjinë.

“Është një nevojë e tregut të punës, një nevojë e zhvillimit të teknologjisë dhe ne e pamë të arsyeshme që këtë vit akademik të hapnim masterin shkencor për inteligjencë artificiale dhe optimizmi me diplomë të përbashkët me Universitetin e Compiègne në Francë”, u shpreh Elinda Kajo, dekanë e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit.

Përzgjedhja e studentëve u krye në bazë të mesatares mbi 8, anglishten e mbrojtur, si dhe që studimet Bachelor i kanë kryer në fushën e teknologjisë.

“Do të kemi lëndë si machine learning, deep learning, sistemet komplekse, automozim e robotikë. Janë shumë të rëndësishme për të thelluar njohuritë në inteligjencë artificiale”, u shpreh Kajo.

Një diplomë e dyfishtë e njohur kudo në Europë është një mundësi e madhe për studentët shqiptarë të cilët semestrin e parë po e realizojnë me pedagogët vendas në gjuhë angleze, më pas do të zhvillojnë mësim me pedagogët francez këtu në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, ndërsa vitin e dytë master, studentët më të mirë do të mund të shkojnë të ndjekin vitin akademik në Francë duke realizuar shkëmbime arsimore, në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve.

Në epokën digjitale, tregu i punës ka ndryshuar e bashkë me to edhe interesi i të rinjve mbi arsimimin e tyre, kërkesat e të cilëve po reflektohen në degët e reja që po hapin universitetet shqiptare.

“Është viti i parë dhe ne mendojmë që të vazhdojë gjatë jo thjeshtë si master shkencor , por jemi duke planifikuar që të hapim studimet në ciklin e parë Bachelor për inteligjencë artificiale dhe këtë në bashkëpunim me universitetet europiane, u shpreh dekania Elinda Kajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA