
Mediat publikonin sot pamjet e dëmeve të lëna nga një bastisje gjatë natës e ushtrisë izraelite në qytetin e Xhenin në Bregun Perëndimor .
Që prej sulmit të 7 tetorit nga grupi Hamas brenda Izraelit, ushtria po bombardon zonat civile në Gaze e gjithashtu ka shtuar inkursionet në Bregun Perëndimor, territori lindor palestinez, ku viktimat e gjakderdhja është e përditshme.
Në pamjet e vrazhda shihej sot sesi dhe në Xhenin, si në Gaza ushtria shkatërronte rrugët e qytetit me bulldozerë për të ndaluar lëvizjen e çdo automjeti.
Izraeli tha sot se ka vrarë shtatë militantë në dy konfrontime me armë në Bregun perëndimor, disa prej të cilëve u konfirmuan nga Hamas.
Përsëri në Bregun Perëndimor, zyrtarë palestinezë thanë se dy njerëz ishin vrarë nga plumbat e ushtrisë izraelite në qytetin Hebron.
Ushtria tha se dy viktimat “ishin në një automjet dhe kishin hapur zjarr ndaj ushtarëve që ishin në zonë”.
Mëngjesin e sotëm gazetarë të rrjetit AFP panë një funeral të tre njerëzve të vrarë, ku merrnin pjesë qindra vetë, si dhe disa persona të armatosur me flamurë të Hamas.
Javën e kaluar inkursioni i ushtrisë në Xhenin la 14 palestinezë të vrarë, që ishte bastisja më e përgjakshme e Izraelit në Bregun Perëndimor që prej vitit 2005, sipas të dhënave të OKB.
Top Channel