Duke ngritur shqetësime mbi lirinë e fjalës, një gjykatës apeli i shtetit të Nju Jorkut anuloi përkohësisht vendimin për kufizimin e komenteve të Donald Trumpit lidhur me pjesëtaret e gjykatës që po shqyrton çështjen ndaj tij.
Vendimi i gjykatësit David Friedman e lejon tani ish shefin e Shtëpisë së Bardhë të komentojë lirshëm për stafin e gjykatës në kohën që zhvillohet një proces më i gjatë apelimi. Ishte një tjetër gjykatës, Arthur Engoron, i cili po shqyrton çështjen ndaj zotit Trump për mashtrime financiare, ai që urdhëroi në 3 tetor kufizimin e kufizimin e komenteve të ish-presidentit pas atyre që u cilësuan si komente të rreme të tij në mediat sociale në lidhje me një punonjëse të gjykatës.
Pas kësaj, gjykatësi edhe e gjobiti Trumpin për shkelje me 15,000 dollarë dhe e zgjeroi gjobën edhe për avokatët e tij pasi ata ngritën pikëpyetje në lidhje me rolin e punonjëses së gjykatës tek çështja ndaj ish kreut të shtetit amerikan. Por gjatë seancës urgjente të mbajtur së fundi, Friedman e vuri në dyshim autoritetin e Engoronit për të kontrolluar komentet e Trumpit jashtë sallës së gjykatës.
Ai sqaroi se vendimet për të mos komentuar zakonisht merren për çështje penale, kur ekziston frika se komentet mund të ndikojnë tek juria e çështjes. Por gjyqi civil ndaj Trumpit nuk ka juri. Ekipi i tij i avokatëve mbrojtëse e përshëndeti lëvizjen e gjykatësit të apelit, për të cilin tha se mori vendimin e duhur dhe e lejoi ish-presidentin të përfitonte plotësisht nga të drejtat kushtetuese që ia garanton Amendamenti i Parë.
Top Channel