Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan viziton sot Berlinin.
Ndalesa e tij vjen në kohën kur pozicionet e dy vendeve për luftën në Lindjen e Mesme janë diametralisht të kundërta, ndërsa atmosfera mes tyre përkufizohet si e “akullt”. Në mënyrë të përsëritur, Erdogani ka përdorur së fundi fjalë të ashpra kundër Izraelit e i ka dalë në mbrojtje Hamasit të konsideruar organizatë terroriste nga vetë shteti hebre, nga SHBA-ja e BE-ja.
“Izraeli përpiqet prej 75-vjetësh të krijojë një shtet në një territor i cili i është rrëmbyer popullit palestinez”, deklaroi ai në Ankara, teksa shtoi se legjitimiteti i Izraelit “vihet në pikëpyetje për shkak të fashizmit të tij”. Kancelari gjerman Olaf Scholz nga ana tjetër, në një konferencë për shtyp i quajti “absurde” këto komente të kreut të shtetit turk. Izraeli është një demokraci, theksoi kancelari.
“Edhe kjo duhet thënë shumë qartë, e për këtë nuk ka asnjë dyshim”, tha Scholz. Vizita e parë e Erdoganit në Gjermani, që nga viti 2020, vjen në prag të zgjedhjeve lokale turke, ku partia e tij po kërkon me çdo kusht të fitojë bashkitë e Ankarasë dhe Stambollit. Perspektiva e një qasje më të mirë në tregun e Bashkimit Europian dhe liberalizimi i vizave do të ishte një dhuratë e madhe për votuesit turq, të cilët po përballen me inflacionin e lartë dhe krizën e thellë ekonomike që ka kapluar Turqinë.
Erdogani gjithashtu do të ketë nevojë për bekimin e Scholzit për të realizuar blerjen e 40 avionëve luftarakë të modelit “Eurofighter Typhoon” për të cilët njoftoi të enjten. Gjermania, nëpërmjet kompanisë Airbus, është vend partner në konsorciumin që i prodhon avionët.
Scholzit po ashtu i intereson një zbutje e relatave me Ankaranë, roli i së cilës në frenimin e emigracionit të paligjshëm drejt BE-së e bën atë një partner të domosdoshëm.
Top Channel