Disa organizata të shoqërisë civile në Kosovë reaguan kundër vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për kthimin e Nexhat Krasniqit në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore

Në fillim të nëntorit, DASH-i e vendosi Krasniqin në listën e personave të sanksionuar. Kjo lëvizje ndaj ish drejtorit të Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, u bë sipas mediave vendase, për shkak të përfshirjes në korrupsion. Sipas DASH-it, në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për krijimin dhe mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, ai kishte keqpërdorur pozitën e tij publike “duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit”.

“Integriteti dhe kredibiliteti i qeverisjes në një shoqëri demokratike të cilën e aspiron Republika e Kosovës dëshmohet duke ndërtuar dhe zbatuar vlera dhe standarte që promovojnë sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.  Llogaridhënia dhe qeverisja me duar të pastra nuk e duron rehabilitimin e figurës së personave të cilët kanë qenë të përfshirë në afera korruptive dhe që janë subjekt i sanksioneve nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet mik i Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e organizatave.

Shtatorin e vitit 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar se Nexhat Krasniqi, se në cilësinë e zyrtarit publik kishte marrë ryshfet për ngritjen e parkut në fjalë. Organizatat që shprehën publikisht pakënaqësinë e tyre janë Instituti i Kosovës për Drejtësi, Iniciativa për Progres INPO dhe Lëvizja FOL.

Top Channel