Afganët e dëbuar nga Pakistani duhet të mbijetojnë, të rindërtojnë jetën nga zero (fotot)

17/11/2023 19:37

Duke u tundur butë në gjunjët e nënës, paksa i bezdisur nga mizat, një bebe fle në tendën e kampit të pikës kufitare Torkham, teksa familja e tij përgatitet të rindërtojë jetën e tyre në Afganistan, pas dëbimit të papritur të më shumë se 1 milionë prej tyre nga Pakistani fqinjë.

Në kampin e improvizuar me kushte të këqija, afganët e larguar nga Pakistani djersisin gjatë ditës dhe dridhen nga i ftohti gjatë natës, shkruan rrjeti AFP në reportazh.

Zyrtarët thonë se 210,000 afganë, disa prej të cilëve kishin jetuar këtu prej dekadash ose gjithë jetën, kanë kaluar pikën kufitare Torkham për në Afganistan, që prej urdhrit të largimit.

Shumë prej tyre nuk i pret asnjeri dhe nuk dinë si të mbijetojnë atje.

“Nuk kam shtëpi, as tokë as punë, nuk e di si do të jetoj,” thotë Sher Aga, i cili më parë ishte roje sigurie në Pakistan.

Ai ka mbledhur nëntë fëmijët e tij dhe sendet e familjes në një furgon me të cilin shkon drejt veriut në provincën Kunduz.

43-vjeçari nuk e mban mend atdheun e tij pasi ishte larguar me familjen kur ishte vetëm pesë vjeç.

“Nuk kam asnjë atje, fëmijët më pyesin ‘në çfarë vendi do të shkojmë?’,” thotë ai për AFP.

Në një tjetër tendë me bashkëshortin dhe 7 fëmijët e tyre, 40-vjeçarja Amina fsheh fytyrën prapa shamisë së kokës.

Ajo thotë se janë nisur për në Xhalalabad, qendra e provincës ku ndodhet Torkham pasi aty ka “disa vëllezër”.

“I kam kërkuar familjarëve të më gjejnë një shtëpi me qera, por ata më thonë se nuk ka. Nuk ka ardhur asnjeri të na shohë”, thotë gruaja.

Në Pakistan familja e saj shiste perime ose drejtonte karroca taksi për të mbijetuar, por Amina i trembet të ardhmes në Afganistan, mes krizës ekonomike e papunësisë.

“Nëse djemtë e mi nuk punojnë, ne nuk mbijetojmë.”

Si ajo janë të gjitha familjet e strehuara në tendat e përkohshme pranë kufirit që megjithëse jetonin vetëm për mbijetesë në Pakistan, tani duhet ta nisin nga zero në Afganistan.

Shazia dhe disa gra të tjera të fisit të saj në një kamion drejt Xhalalabad, duket se janë më me fat pasi bashkëshorti i saj ishte kthyer më herët dhe ka gjetur një shtëpi me qera ku do të strehohen katër familjet.

“Qiraja është e shtrenjtë,” thotë nena e re e tre fëmijeve, më i vogli prej të cilëve është vetëm dy muajsh.

“Por sonte do të flemë të paktën”, shton ajo./AFP/

FOTO GALERI
1/11
Në kampin e improvizuar me kushte të këqija, afganët e larguar nga Pakistani djersisin gjatë ditës dhe dridhen nga i ftohti gjatë natës, shkruan rrjeti AFP

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA