SHBA, ligji për përgjimet pa leje nga gjykata pritet të miratohet sërish me gjithë thirrjet për reforma

16/11/2023 22:37

Një pjese të ligjit federal që u jep agjencive të zbulimit amerikan të drejtën për të kryer mbikëqyrje pa autorizim të komunikimeve të personave që nuk janë shtetas amerikanë jashtë vendit, do t’i përfundojë afati në fund të vitit, duke shtuar presionin mbi Kongresin për të miratuar zgjatjen e afatit të tij, megjithëse aktivistët që luftojnë për ruajtjen e privatësisë kërkojnë që ai të ndryshojë.

Kjo pjesë e ligjit e njohur si FISA mundëson mbikëqyrjen elektronike të personave jo-amerikanë jashtë Shteteve të Bashkuara për qëllime të sigurisë kombëtare. Ai përmban gjithashtu një dispozitë që lejon mbikëqyrjen e objektivave të inteligjencës së huaj brenda SHBA-së, me kusht që kjo të miratohet nga gjykata speciale e mbikëqyrjes së inteligjencës së huaj.

Për shkak se mbikëqyrja e shtetasve të huaj shpesh mund të përfshijë edhe komunikimet e shtetasve amerikanë të cilët nuk janë objektivi i saj i drejtpërdrejtë, shumë organizata të lirive civile besojnë se operacionet e FISA-s shkelin mbrojtjen ligjore për privatësinë individuale. Këtij shqetësimi i shtohet fakti se informacioni i mbledhur si pjesë e mbikëqyrjes FISA mund të kërkohet nga agjencitë vendase të zbatimit të ligjit, si Byroja Federale e Hetimit, pa një autorizim.

Hetimet e viteve të fundit kanë gjetur raste të shumta në të cilat agjencitë e zbatimit të ligjit kanë abuzuar me FISA-n për të pasur qasje në informacione për shtetasit amerikanë. Kjo përfshin operacione përmes së cilave u mblodhën informacione rreth ekipit të fushatës së ish-presidentit Donald Trump në vitin 2016 dhe të tjerë që kishin në shënjestër udhëheqësit e lëvizjes “Black Lives Matter”.

Kundërshtimet e Grupeve të të drejtave

Jeramie D. Scott, drejtor i Projektit të Qendrës Elektronike të Privatësisë së Informacionit (EPIC), Projekti për Mbikëqyrjen e Vëzhgimit, i tha Zërit të Amerikës se grupi i tij beson se ligji duhet të miratohet sërish vetëm nëse shtohen masa të mëdha mbrojtëse.

“EPIC dhe partnerët tanë kanë qenë shumë të qartë se FISA nuk duhet të miratohet sërish pa reforma të rëndësishme, duke përfshirë nevojën për urdhër autorizimi kur bëhet fjalë për kërkimet e informacionit të personave amerikanë”, shkroi ai në një shkëmbim e-maili.

Kia Hamadanchy, këshilltare e lartë e politikave te Unionit Amerikan për Liritë Civile, tha se organizata e tij ka sfiduar FISA-n që nga dita kur ligji u miratua dhe se kundërshtimi i saj vazhdon.

“Ne kemi shqetësime serioze me mënyrën se si po trajtohet problemi,” i tha ai Zërit të Amerikës. “Gjatë 15 viteve të fundit, ne kemi parë një mori abuzimesh. … Pra, pozicioni ynë aktual është se neni 702 nuk duhet të riautorizohet në mungesë të reformës themelore.”

Në një seancë të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare, drejtori i FBI-së Christopher Wray foli për një shkallë të gjerë të kërcënimeve të sigurisë me të cilat po përballet vendi dhe tha se një vendim për të mos ripërtëritur afatin e nenit 702 të ligjit të përgjimit ose për ta kufizuar atë, do ta bënte vendin më pak të sigurt.

“Heqja ose kufizimi i këtij neni të ligjit do ta rriste shumë rrezikun ndaj sigurisë”, tha zoti Wray. “Kjo do ta dëmtonte apo në disa raste do ta eliminonte aftësinë e FBI-së për të identifikuar dhe eliminuar shumicën e kërcënimeve serioze ndaj sigurisë”.

Në të njëjtën seancë, Christine Abizaid, drejtore e Qendrës Kombëtare kundër Terrorizmit, tha se neni 702 është thelbësor për mbrojtjen e vendit nga sulmet terroriste.

“Një nga çështjet më të rëndësishme për Qendrën Kombëtare kundër Terrorizmit është monitorimi i aftësisë së terroristëve ndërkombëtarë për të patur qasje dhe për të kërcënuar vendin tonë”, tha zonja Abizaid. “Neni 702 i ligjit për përgjimet është thelbësor për aftësinë tonë për ta parandaluar këtë dhe pa këtë autorizim Shtetet e Bashkuara do të jenë më pak të sigurta”.

Propozime të ndryshme në Kongres

Duket se ka të paktën dy propozime për zgjatjen e afatit të nenit 702 të ligjit për përgjimet në Kongres.

Javën e kaluar, një grup ligjvënësish nga të dyja partitë njoftuan paraqitjen në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve të propozimeve për Reformën e ligjeve qeveritare të Përgjimit, që parashikojnë kufizime të mëdha për nenin 702.

Projektligji, mes tjerash, kërkon marrjen e një autorizimi nga gjykata për të siguruar qasje në të dhënat e shtetasve amerikanë, të mbledhura bazuar në Ligjin e Mbledhjes së Informacioneve të huajta të Zbulimit. Ky propozim është mbështetur nga një numër i madh organizatash të mbrojtjes së të drejtave civile.

“Amerikanët e dinë se mbrojtja e vendit nga armiqtë e vendit mund të bëhet pa shkelur të drejtat kushtetuese të tyre”, tha senatori Ron Wyden, një nga bashkautorët e projektligjit, gjatë paraqitjes së tij. “Por, për një kohë të gjatë, ligjet e përgjimit nuk kanë ecur me kohën”.

Të martën, gazeta amerikane “Politico” siguroi disa pika të propozimeve për zgjatjen e afatit të nenit 702, që po shqyrtohen nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve. Numri i kufizimeve ndaj forcave të zbatimit të forcave të sigurisë në këto pika ishte më i vogël. Për shembull, agjencitë vendase të zbatimit të ligjit do të kenë nevojë për leje nga gjykata për qasje në të dhënat e mbledhura bazuar në Ligjin e Mbledhjes së Informacioneve të huaja të Zbulimit “për prova të një vepre kriminale”.

Organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut kanë kritikuar versionin e projektligjit të Komisionit të Zbulimit, duke thënë se ndryshimet e tij nuk janë të mjaftueshme.

“Kufizimi i kushteve të sigurimit të lejes nga gjykata në kërkim të “provave për një vepër kriminale” nuk është i mjaftueshëm për trajtimin e shkeljeve të dokumentuara mirë të nenit 702”, thotë Jeraimie D. Scott nga Qendra për Mbrojtjen e Privatësisë së Informacioneve Elektronike (EPIC). “Çdo propozim serioz për reformë duhet të zgjidhë mangësitë e nenit 702, që përdoren nga qeveria për të marrë informacione të amerikanëve pa leje nga gjykata. Duke mos bërë këtë, ata nuk po marrin me seriozitet privatësinë dhe të drejtat e amerikanëve”./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA