Koalicioni i Metës dhe Berishës, “Bashkë Fitojmë” ka ankimuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nuk i hoqi mandatin kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit.

Sipas koalicionit, “KQZ-ja ka marrë një vendim absurd dhe në kundërshtim me ligjin, ku ka vendosur rrëzimin e kërkesës së “Bashkë Fitojmë” për të shpallur të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Kuçovë, z. Kreshnik Hajdari.

Në funksion të kandidimit, Hajdari ka plotësuar dhe dorëzuar në KQZ, formularin e dekriminalizimit, sipas Kodit Zgjedhor dhe pyetjes ‘A keni qenë i dënuar jashtë shtetit’, ai i është përgjigjur, ‘JO’. Kjo është rrethanë e pavërtetë pasi përmes përfaqësuesve, kemi paraqitur si provë në KQZ, një vendim gjyqësor penal të formës së prerë, të Gjykatës greke, me të cilin rezulton se ai është dënuar me 4 muaj burgim (te konvertuar me gjobe ne masën 1500 dhrahmi) për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit. Ky dënim penal, jo vetëm nuk është deklaruar, por është bërë deklarim i rremë”-thuhet ndër të tjera në ankimim.

Të martën, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tre juristët e koalicionit “Bashkë Fitojnë” dështuan t’ia hiqnin mandatin Kreshnik Hajdarit, kryebashkiak i Kuçovës. Lefter Maliqi, rivali i Hajdarit në zgjedhjet e 14 Majit pas vendimit të KQZ-së, u shfaq i revoltuar.

Ndërkohë dje pas marrjes në pyetje nga SPAK u vendose se Për një gabim të kryer 24 vjet më parë kur ka kaluar kufirin grek në mënyrë të paligjshme, kryebashkiaku i Kuçovës do të përballet me drejtësinë në gjykatën antikorrupsion.

SPAK e mori të pandehur Kreshnik Hajdarin, që akuzohet se ka fshehur një dënim nga Gjykata e Janinës, e cila ka dhënë në atë kohë masën e qortimit. Në vitin 1999 Kreshnik Hajdari ishte 17 vjeç dhe si një i mitur ju vendos masa e riedukimit. SPAK ja komunikoi akuzën e falsifikimit të formularëve një ditë pasi KQZ nuk ja ndërpreu mandatin e kryebashkiakut.

Top Channel