Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë nisur të sot takime në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve paraprake, të arritura mes dy vendeve.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Miroslav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç, njëherësh shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, shkruan REL.
Aktualisht, Lajçak është duke zhvilluar takime me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, zëvendëskryeministër i Kosovës.
Më pas, nëse do të ketë vullnet nga palët, mund të ketë edhe takim trepalësh. Bislimi u shpreh një ditë parë se takimi i 16 nëntorit është vazhdimësi e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe bllokut evropian.
Petkoviç tha dje se në Bruksel do të niset me një “ekip ekspertësh”. Sipas burimeve evropiane, në agjendë të takimeve do të jetë diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për hapat tjerë në zbatimin e obligimeve që dalin prej Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.
Top Channel