“Vrasje, gjymtim, rrëmbime, sulme në shkolla dhe spitale”/ Shefja e UNICEF-it: Shkelje të rënda ndaj fëmijëve në Gaza

15/11/2023 12:00

Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell në një deklaratë për mediet një ditë pas vizitës së saj në Rripin e Gazës është shprehur se: “Shkelje të rënda po ndodhin ndaj fëmijëve në Gaza”.

“Palët në konflikt po bëjnë shkelje të rënda ndaj fëmijëve; këto përfshijnë vrasjen, gjymtimin, rrëmbimet, sulmet në shkolla dhe spitale dhe mohimin e aksesit humanitar, të gjitha këto që UNICEF-i i dënon”, thuhet në deklaratë.

Russell shtoi se përveç mijëra fëmijëve të vrarë dhe të plagosur, shumë prej tyre janë të zhdukur dhe besohet se janë bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, të cilat ajo i quajti “rezultat tragjik i përdorimit të armëve shpërthyese në zonat e populluara”.

Sipas Russell, stafi i UNICEF-it po vazhdon punën në emër të fëmijëve të Gazës, pavarësisht se janë ndikuar drejtpërdrejt nga vetë konflikti.

“Shumë njerëz, përfshirë stafin tonë dhe familjet e tyre, tani po jetojnë në strehimore të mbipopulluara me shumë pak ujë, ushqim ose kanalizime të mira – kushte që mund të çojnë në shpërthime sëmundjesh”- tha ajo.

Russell bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm për të lejuar më shumë ndihma humanitare për të arritur në Gaza, veçanërisht karburant – disa pritet të arrijnë në Gaza të mërkurën, e para që do të arrijë në territor që nga sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor.

UNICEF thotë se më shumë se 700,000 fëmijë janë zhvendosur që nga fillimi i konfliktit. Nga 11,255 palestinezë të vrarë si rezultat i sulmeve izraelite në Gaza, 4,630 ishin fëmijë, sipas shifrave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Ramallah.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA