“Mendimi i bardhë” i Thuram! Ish-futbollisti do prezantojë në Shqipëri librin e tij

15/11/2023 14:48

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim legjendën e kombëtares franceze, Kampionin e Botës dhe të Europës, Lilian Thuram, i cili ndodhet në Shqipëri për të prezantuar librin e tij të përkthyer në shqip “Mendimi i bardhë”.

 “Jam në Tiranë për të prezantuar librin tim, i cili është përkthyer në shqip, dhe shpresoj se do të ndryshojë mendësinë e njerëzve. Ndonjëherë njerëzit kanë paragjykime dhe nuk e kuptojnë se nga vijnë. Por, unë besoj se është gjithmonë e nevojshme ta njohim historinë, në mënyrë që të ecim përpara. Është një kënaqësi t’ju takoja, jeni një kryebashkiak i jashtëzakonshëm, shumë i aftë, dhe personi që e ka thënë këtë nuk është shqiptar. Pra, e thotë dikush që ka këndvështrimin e tij nga jashtë”, tha Thuram.

Kreu i Bashkisë vlerësoi nismat e kampionit të botës kundër racizmit, veçanërisht në një moment kur në Europë po diskutohet gjithnjë e më shumë për rritjen e frymës së ksenofobisë.

“Mezi pres që të inkurajosh djemtë dhe vajzat tona, për të kuptuar që sporti është patjetër i dobishëm për një shëndet dhe për një fizik të shëndoshë, po është mbi të gjitha për mentalitetin fitues dhe për një lojë në skuadër, për të cilën kemi shumë nevojë sot. Të falenderoj shumë, sidomos në kontekstin ku në Europë po diskutohet shumë dhe ka një frymë të ksenofobisë dhe të racizmit. Madje, edhe në Shqipëri ka pasur një debat për pritjen e emigrantëve, kur ne vetë kemi qenë një komb emigrant. Nuk mund të kishte një moment më të mirë për këto mesazhe fantastike”, tha Veliaj.

Lilian Thuram ka fituar Kupën e Botës me kombëtaren franceze në vitin 1998. Pas përfundimit të karrierës së tij futbollistike, Thuram është angazhuar në aktivitete bamirësie.

Top Channel