Inside Story/ Politikania Rudina Hajdari, pesha e trashëgimisë së mbiemrit që “shtypi” rrugëtimin politik të saj

15/11/2023 21:28

Rruga e shkurtër prej portës e deri tek dera e parlamentit do ti dukej një distancë e gjatë.

Hapat e pasigurt e me emocion do të kapërcenin portën për të hyrë brenda në sallën e madhe me 140 karrige. Ndoshta është përpjekur të projektojë njërën prej tyre, si vendi ku ishte ulur të paktën vetëm një herë babai i saj, Azem Hajdari.

Zëri i brishtë i fjalës së parë, u prit me duartrokitje, edhe në respekt të të atit.Me kalimin e ditëve, javëve, Rudina përpiqej të shfaqej në podium si një e re në politikë, si shpresë për të ardhmen e Shqipërisë dhe jo vetëm si bijë e babait politikan.

“Fati i shqiptarëve nuk mund të mbetet në dorën tuaj”, u shpreh Rudina Hajdari.

Padyshim që do të ishte larg peshës së zërit të Azem Hajdarit. Një zë kishte oshëtirë në atë sallë në fjalime politike që kanë lënë gjurmë; në debate të ashpra deri në konfikte e aty pikërisht në atë foltore ishte qëlluar edhe me plumb.

Para se të dilte në atë podium, Rudina e kishte të qartë se mbante mbi shpatulla një emër me rëndësi në politikën e tranzicionit. I ati kishte qënë drejtues i lëvizjes studentore në dhjetor 90, themelues e kryetar i parë i PD-së. Tetë vitet e tij në politike lanë gjurmë ashtu si dhe dita e tij e fundit, kur u nda nga jeta prej një atentati në oborrin e Partisë Demokratike. Rudina e kishte të qartë se rruga do të ishte shumë e vështirë edhe prej kësaj peshe.

Bëri përpjekje shpesh të shfaqte shenja të gjuhës së babait. Politika 28-vjeçarë nuk është vetëm model keq qeverisje por armik i qytetarëve dhe interesave të tyre.

Top Channel