Gjashtë të vdekur nga përplasja e kamionit me autobusin e nxënësve në autostradën e SHBA (fotot)

15/11/2023 15:49

Gjashtë njerëz kanë vdekur përfshi dhe tre studentë, kur një kamion u përplas mbrëmë me një autobus me nxënës shkolle në një autostradë në Ohio, SHBA.

Tre studentë në autobus dhe tre njerëz në një automjet tjetër humbën jetën kur aksidenti fillestar shkaktoi një përplasje zinxhir të automjeteve në rrugë. Shkaku i aksidentit mbetet i paditur.

Aksidenti tragjik shkaktoi mbylljen e autostradës Interstate 70, rreth 40 milje larg qytetit të Columbus.

Autobusi mbante 54 njerëz përfshi dhe studentët, të cilët ishin nga një shkollë në lindje të Ohio kur u përplas papritur nga prapa prej mjetit të rëndë, i cili e nxorri nga rruga.

Një total prej pesë automjetesh u përfshinë në aksidentin e darkës, teksa policia tha se tre automjete u përfshinë nga flakët.

Pesëmbëdhjetë studentë u dërguan në spital pas ngjarjes njoftonte policia, duke shtuar se ende nuk dihet shkaku i aksidentit.

Autobusi transportonte anëtarë të grupit muzikor të shkollës së mesme të Tuscarawas drejt Columbus për një performancë të shoqatës së shkollave në Ohio.

Në autobus kishte gjithashtu prindër e mësues.

Shoferi dëshmitar Chris McNeal, e quante përplasjen “katastrofike” teksa komentonte për rrjetin lokal WSYX.

“Zjarrfikësat kishin vendosur shkallë për të nxjerrë njerëzit nga autobusi. Mjeti tip traktori u dogj i gjithi dhe një veturë e përfshirë në aksident gjithashtu u dogj”, tha ai.

Anëtarë të komunitetit shiheshin mbrëmë duke mbajtur lutje në nder të viktimave në Zoarville, Ohio.

Ata shiheshin të përqafur duke vënë lule e duke bërë homazhe në mbështetje të shkollës Tusky Valley.

Zhvillimi vjen dy muaj pas një tjetër përplasjeje fatale të një autobusi me nxënës në një autostradë të New York.

FOTO GALERI
1/7
Tre studentë në autobus dhe tre njerëz në një automjet tjetër humbën jetën kur aksidenti fillestar shkaktoi një përplasje zinxhir të automjeteve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA