Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Hil Curri, i koalicionit Bashkë Fitojmë, i ka dërguar një letër në datën 7 Nëntor, kryeministrit Edi Rama, ambasadorit të BE në Shqipëri dhe përfaqësuesit të zyrës së emigrantëve të Kombeve të Bashkuara për të ofruar vullnetarisht ndihmë në pritjen e emigrantëve që do të vijnë nga Italia.
Duke marrë shkas nga marrëveshja e nënshkruar së fundmi në Itali nga kryeministri Rama, për ngritjen e kampeve të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika në Lezhë, kryetar i Fushë Arrëzit mendon se është momenti i duhur për të treguar vlerat e larta mikpritëse të bashkisë që drejton. Sipas tij kjo është një çështje humane dhe se politika nuk duhet të përzihet
“Çështja humane në këto raste është detyrë e çdo kryetari bashkie apo çdo personi në Shqipëri që e ndjen veten pak human. Por kjo gjithashtu ka lidhje edhe me bashkinë e Fushë Arrëzit që ka prit ndër vite, refugjatët hebrenj, e më pas duke ardhur me kohën e kapitullimit të Italisë fashiste që ka prit italianët që ka pasur në çdo shtëpi të bashkisë së Fushë Arrëzit në atë kohë dhe pjesa tjetër kemi pritur edhe vëllezërit tanë kosovarë”, tha Curri.
Sipas kryetarit të Fushë Arrëzit, çështja nuk ka të bëjë me integrimin e refugjatëve në shoqëri, por me pritjen dhe ofrimin e kushteve të duhura
“Kampet e mbyllura nuk janë për një kohë të shkurtër dhe nuk bashkohen me komunitetin. Komunitetet kanë përfitime, por ata nuk integrohen në jetën komunitare. Nuk janë ata që kërkojnë të vijnë në bashkinë e Fushë Arrëzit apo diku tjetër. Ata janë thjesht disa njerëz të pafat, që mund t’i japim një mbështetje morale”, shtoi ai.
Marrëveshja e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë për pritjen e 3 mijë emigrantëve në muaj është dorëzuar në parlament dhe kërkon një shumicë të thjeshtë me 71 për t’u ratifikuar.
Top Channel