Ismaël Bennacer po punon pa pushim që të rikthehet sa më shpejt në fushë që të ndihmojë Milanin në realizimin e objektivave.
Të njëjtën gjë dëshirojnë edhe tifozët kuqezi, me algjerianin që është një nga të preferuarit e tyre.
25-vjeçari u dëmtua rëndë në gjysmëfinalen e parë të Champions League kundër Interit. Mungesa e tij në mesin e fushës së “Djallit” ndihet, por rikuperimi po shkon mirë.
Dhe viti 2024 pritet ta rikthejë Bennacer nën urdhrat e Stefano Piolit. Në një rrëfim për “The National Football”, “motori” i Milanit prek disa tema. Duke nisur nga ambiciet e mëdha të tij dhe shokëve të skuadrës.
“Milani luan për të fituar trofe, si Champions League. Ne nuk kemi vetëm objektivin të konkurrojmë në atë kompeticion, por mbi të gjitha të jemi në gjendje ta fitojmë.
Kur mbërrin në gjysmëfinale, si vitin e kaluar, gjithmonë ke ndjesinë se mund të arrish deri në fund dhe të përpiqesh të fitosh kupën. Do të përpiqemi këtë sezon. Nuk jemi këtu vetëm për të luajtur në grupe.
E dimë se ka ekipe shumë të forta, por do të përpiqemi të fitojmë Champions League. Dëmtimi që pësova ndaj Interit ishte i vështirë. Një moment delikat, pasi po luaja një ndeshje të tensionuar, ndoshta ndeshja më e rëndësishme e karrierës.
Top Channel