Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tre juristët e koalicionit “Bashkë Fitojnë” dështuan t’ia heqin mandatin Kreshnik Hajdarit, kryebashkiak i Kuçovës.
Sipas tyre, mjaftonte mos deklarimi në formularin e dekriminalizimit të dëbimit të zotit Hajdari në vitin 1999 nga Greqia për t’i ndërprerë mandatin. Madje ata ngulmuan se ai kishte konsumuar edhe një vepër penale.
Kryekomisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, shpjegoi se KQZ për të tilla raste tashmë e ka një praktikë të konsoliduar.
“Një subjekt që ka detyrimin që për shkak të angazhimit të marrjes së në zyre publike të plotësojë një formular të vetëdeklarimit nuk ka detyrimin të përfshi në të të dhënat të cilat nuk përbëjnë shkak për të kandiduar në rastin konkret. Ndaj vlerësoj që nuk ka një shkak ligjor që kryetari bashkisë Kuçovë ti ndërpritet mandati”.
Juristët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” kanë 30 ditë kohë për të ankimuar këtë vendim. Lefter Maliqi, rivali i Hajdarit në zgjedhjet e 14 Majit pas vendimit të KQZ-së, u shfaq i revoltuar.
Më pas Lefter Maliqi për të dytën herë për këtë çështje iu drejtua SPAK.
“Në 2017 ka qenë lëvizje e lirë me BE-në dhe Interpol Athina njofton që në kohën kur ky ka qenë drejtor i KESH në 2017 , e në 2019 u bë kryetar bashkie, është dëbuar nga Greqia. Dhe arsyet nuk i ka dhënë dhe ne në SPAK bëjmë kallëzimin e radhës për këtë mos deklarim”.
Tensionet mes Lefter Maliqit humbës dhe Kreshnik Hajdarit fitues u shfaqën edhe në momentin e përfundimit të numërimit të fletëvotimeve të 14 Majit në Kuçovë.
Top Channel