Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis vazhdon të surprizojë, duke rikthyer edhe njëherë tjetër të njëjtin skenar si në “telenovelën” e verës për të vendosur për trajnerin e ekipit.
Ashtu si në verë, “kasting-u” ose thënë ndryshe intervistat, e kreut të Napolit për të caktuar trajnerin e ri ishin të gjata dhe në fund jo shumë fitimprurëse, sërish tashmë Aurelio de Laurentiis po merr kohën e tij, pasi mori “Po” e Igor Tudor dhe i ofroi një kontratë deri në qershor me opsionin e një viti shtesë, vendosi të shtyjë për disa orë vendimin përfundimtar për trajnerin e ri.
Duke e marrë të mirëqenë shkarkimin e Rudi Garcias, për të çilin mungon vetëm njoftimi zyrtar, numri një i Napolit në fakt, ka planifikuar një takim me Walter Mazzarrin sot. Vetëm më pas ai do të shpallë vendimin e tij për të ardhmen e afërt të pankinës “blu”.
Ky hezitim në dukje, në realitet është një analizë e thellë e një situate sigurisht delikate, në të cilën nuk lejohen gabime të mëtejshme.
Në përgjithësi, zgjidhja Tudor duket ende më e mundshmja, por presidenti i kampionëve në fuqi të Italisë, të paktën dëshiron të dëgjojë edhe një trajner që e njeh mjedisin dhe që konsiderohet i besueshëm.
Kështu, ndërsa Tudor dhe agjenti i tij presin në Romë për komunikimin e de Laurentiis, presidenti do të kënaqet në bisedat e tij me Mazzarrin.
Top Channel