Nga konferenca e përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar që BE të ndihmojë financiarisht vendet që ndodhen në kufijtë e jashtëm të tij dhe se infrastrukturat e mëdha të ndërtuara me fonde europiane, siç është gardhi përgjatë kufirit me Turqinë në lindje të vendit, duhet të mirëmbahen me burime financiare europiane, në mënyrë që të bëhet sa më efikas menaxhimi i flukseve të refugjatëve.

“Dua të them edhe një herë se infrastrukturat që duhet të financohen nga BE përfshijnë edhe barriera natyrore tokësore, siç është gardhi që po ndërtojmë në Evros. Ky gardh synon të mbrojë jo kufirin grek, por atë evropian dhe për këtë arsye duhet të gëzojë edhe financimin evropian”, tha kryeministri grek.

Mitsotakis ka theksuar se Greqia ka për detyrë të mbrojë kufijtë dhe kjo ka dhënë edhe frytet e saj duke regjistruar më pak vdekje përgjatë tyre. Ndërkohë ka progres të madh, në  procesin e shqyrtimit të kërkesave për azil,ka shtuar ai, pasi synohet që këta njerëz të qëndrojnë në Greqi, sepse vendit i nevojiten krahë pune.

Nuk duhet që trafikantët të përcaktojnë se kush hyn në BE, por vetë Europa.  Në të njëjtën gjatësi vale kanë qënë edhe deklaratat e kancelarit Scholz që ka theksuar rëndësinë e reformimit të sistemit të azilit.

“Greqia është në kufirin e jashtëm të Evropës dhe ardhjet e parregullta të refugjatëve dhe të tjerëve në Greqi janë rritur ndjeshëm këtë vit. Ne pajtohemi për rëndësinë e reformimit të Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit dhe kemi shkëmbyer mendime se si mund të arrijmë të reduktojmë lëvizjet dytësore”- u shpreh kancelari gjerman.

I pyetur për marrëdhëniet greko-turke dhe vizitën e presidentit Erdogan në Athinë pas disa javësh, Mitsotakis ka shpjeguar se fakti që mban pozicionime të kundërta me të për Hamasin që Greqia e konsoderon grup terrorist dhe jo njësi çlirimtare, nuk do të thotë që dy liderët fqinjë të mos diskutojnë për të ulur midis të tjerash edhe tensionet mes tyre.

Top Channel