Fermerët e ngarkuar nga taksat në Argjentinë, shpresojnë te kandidati ‘i panjohur’ presidencial Milei (fotot)

14/11/2023 19:22

Tregtari argjentinas i gjësë së gjallë Pablo Cicare qëndron mes tufës së tij të lopëve Angus, disa prej të cilave prodhojnë mishin më të mirë botë, dhe ëndërron të eksportojë lirshëm pas zgjdhjeve presidenciale të së dielës.

Ashtu si fermerë të tjerë të kullotave të gjera të Argjentinës, ai thotë se është i lodhur nga kufizimet qeveritare dhe taksat që kanë mbytur industrinë bujqësore.

“Biznesi është bërë i komplikuar, qeveria po i shtyp prej vitesh fermerët, ata nuk mund të eksportojnë lirshëm”, thotë Cicare, i cili shpreson te një ndryshim në politikat bujqësore.

Ai nuk preferon të thotë për kë do të votojnë por në Saladillo, 200 kilometra larg kryeqytetit kandidati i ri presidencial Javier Milei ishte në krye në raundin e parë të zgjedhjeve. Rivali i tij, ministri i ekonomisë Sergio Massa, u rendit i treti.

Massa mori më shumë vota në total edhe pse gjatë mandatit të tij inflacioni në vend arriti në 143 përqind.

Problemet ekonomike janë shqetësimi kryesor i votuesve të trazuar nga rritjet e përsëritura fiskale, inflacioni dhe kontrolli i valutës, shkruan rrjeti AFP.

Qeveria thotë se për të kontrolluar inflacionin po kufizon eksportin e produkteve bujqësore dhe kontrollon nga afër ratat e këmbimit e të shitjes së produkteve jashtë vendit.

Fermeri 80-vjeçar Maximo Russ, pranë qytezës së Junin tha: “Unë do të votoj për Javier Milei, sepse ai ka folur për më shumë liri … dhe se liria e tregut rregullon ekonominë”.

“Nëse sistemi liberalizohet do të hapen dhe eksportet e Argjentinës, normalisht kjo do të sillte investime dhe do të kishte më shumë prodhim”, shtoi fermeri me shpresë.

Bujqësia përbën 25 përqind të prodhimit në ekonominë e Argjentinës.

Thatësia e vitit të shkuar dëmtoi bujqësinë në vend duke shkaktuar një humbje të ardhurash prej rreth 20 miliardë, që sektori shpreson të rekuperojë në 2024.

Disa votues tremben për më shumë taksa e kufizime nëse fiton Massa duke shpresuar të kundërtën te i panjohuri Milei, dhe ashtu si Cicare, thjesht mendojnë se po zgjedhin “të keqen më të vogël.”

“Jam i lodhur nga politika,” thotë fermeri Javier Sunblad, teksa kujdeset për fushën e grurit dhe bagëtitë e tij, duke shtuar se nuk ka besim te asnjë nga politikanët.

FOTO GALERI
1/9
Biznesi është bërë i komplikuar, qeveria po i shtyp prej vitesh fermerët, ata nuk mund të eksportojnë lirshëm”, thotë Cicare

Top Channel