Zyra e Asistencës Teknike (OTA) e Departamentit Amerikan të Thesarit do të ofrojë një ekspertizë për autoritetet shqiptare për mundësitë e asistencës teknike për zhvillimin dhe diversifikimin e tregjeve të kapitalit, plan ky i miratuar në prill 2023 nga Këshilli i Ministrave.
Përfaqësuesit e OTA-s, shprehën vlerësime për kuadrin e ri ligjor të tregjeve të kapitalit, të përafruar me direktivat evropiane, në takimin me ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete. Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të lartë të Departamentit Amerikan të Thesarit, siRobert Burch, Këshilltar i Lartë, dhe Charles Anderson, Këshilltar dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Ministri Mete vlerësoi se mbështetja teknike e Zyrës së Asistencës Teknike do të jetë me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator për tregjet e kapitalit në Shqipëri.
Dokumenti i Politikave parashtron disa objektiva kryesorë për zhvillimin e këtij tregu, si: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve të Qeverisë.
Objektivi i përgjithshëm është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre.
Top Channel