Bebet mbahen gjallë me letër alumini në spitalin në Gaza pasi inkubatorët janë jashtë funksioni (fotot)

14/11/2023 18:10

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonin sot se ndërprerja e energjisë elektrike në spitale ka vështirësuar ashpër kushtet e trajtimit të pacientëve, teksa sulmet e Izraelit në Gaza, në konfliktin me grupin Hamas, intensifikohen.

Bebe të sapolindura në bebelina, disa prej të cilave ishin shumë të mëdha për to, ishin rreshtuar në një shtrat spitali te rrethuar me letër alumini, për të ruajtur ngrohtësinë.

Rrjeti britanik TheIndependent shkruante se bebet e vogla duhet të ishin në inkubatorë por prej mungesës së energjisë ato mund të vdesin nga i ftohti.

Ata thonë se deri tani 39 bebe kanë vdekur në spitalin kryesor al-Shifa në Gaza prej mungesës së karburantit dhe fikjes së inkubatorëve.

Ndërsa një total prej 32 pacientësh kanë vdekur që kur gjeneratori spitalit të al-Shifa nuk kishte më karburant, njoftonte ministria e shëndetësisë.

Izraeli akuzon se kompleksi gjigant spitalor është përdorur si mbulesë për tunelet e militantëve të Hamas, dhe tashmë është rrethuar nga tanket e trupat izraelite.

Në spital nuk ka ujë, energji, ushqim, mjekime apo pajisje. Zyrtarët vendas thonë se godina është goditur nga snajperë dhe zjarri dornëve, kurse një mjek i bamirësisë Medecins Sans Frontieres (MSF) brenda al-Shifa tha në një mesazh: “Një snajper ka goditur pacientët, tre prej tyre kishin plagë plumbi dhe i operuam … situata është e rëndë, çnjerëzore”.

Dr Medhat Abbas, drejtori i spitalit al-Shifa tha se katër bebe të parakohshme në spital nuk kanë nënat e tyre pasi lindën kur ato ishin duke vdekur.

“Për t’i mbajtur në jetë ato duhet të ruanin një temperaturë si në trupin e nënës, dhe kjo bëhet vetëm me anë të inkubatorëve”, tha Dr Abbas.

“Prej mungesës së energjisë doktorët i kanë mbledhur bebet bashkë në këto shtretër, duke rrethuar anët me letër alumini. Është bërë ftohtë këtu në Gaza, pa kontrollin e temperaturës disa prej tyre mund të vdesin”.

“Katër bebe kanë humbur nënat e tyre. Ato u lindën me prerje operacion kur nënat e tyre po vdisnin, tani ato duhet të mbijetojnë pa nënat e tyre dhe pa rrymë elektrike”, shton doktori, sipas The Independent.

Ndërkohë luftimet vijojnë rreth spitalit të al-Shifa teksa Izraeli ka intensifikuar ofensivën tokësore.

Dr Ahmed El Mokhallalati, kirurgu në al-Shifa që po kujdeset për bebet, tha se spitali është nën bllokadë.

“Tanket janë para spitalit. Jemi nën bllokadë. Presim të humbasim të tjera jetë të sapolindurish,” tha ai për agjencinë Reuters me telefon.

Izraeli tha dje se kishte ofruar karburant për spitalin al-Shifa por militantët e Hamas kishin refuzuar ta merrnin. Ushtria shtonte se kishte lënë 300 litra karburant për gjeneratorët e emergjencës dhe se kishte ofruar të evakuonte bebet e sapolindura.

Konsumi mesatar ditor i karburantit per kompleksin eshte rreth 500 litra.

Zyrtarët palestinezë thanë për The Independent se Izraeli kishte ofruar karburantin “duke kërkuar që dikush të dilte ta merrte” por drejtori kishte ndaluar veprimin duke menduar se ishte e rrezikshme.

Doktorët palestinezë thonë se rreth 650 pacientë e njerëz janë brenda spitalit të al-Shifa të bllokuar në një “qark vdekjeje” teksa ushtria avancon jashtë tij.

Izraeli mohon të ketë goditur spitalin dhe insiston se Hamas po e përdor si bazë, çka mohohet nga këta të fundit.

Zëdhënësi i OBSH, Christian Lindmeier, tha më vonë për rrjetin BBC: “Rreth spitalit ka trupa të vdekur për të cilët nuk mund të kujdeset askush, dhe as të varrosen”.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA