Polemika për djalin e kryeministrit izraelit, moshë e madhe për të luftuar në ushtri, por i sigurt jashtë vendit nga ku drejton strategjitë digjitale të babait të tij duke qëndruar në hije. Në të kaluarën ai ka sulmuar Shtëpinë e Bardhë.
“Ai deklaron se jeton ende me prindërit, nuk ka punë”. Yair Netanyahu dëgjohet si dëshmitar nga policia që po heton babain e tij Benjamin Netanyahu, tani në gjyq për korrupsion, shkruan Corriere.
Djali i madh i kreut më jetëgjatë të qeverisë në historinë e Izraelit, pothuajse gjashtëmbëdhjetë vjet gjithsej, në fakt ka një profesion: ai është këshilltari në hije për strategjitë shumë të ndezura mediatike të liderit konservator, është ai që bashkoi ingranazhet e makinës digjitale që lideri i përdor në fushatat elektorale dhe nuk është ndalur as në këto ditë fushate ushtarake.
Yair nuk ka jetuar më me prindërit e tij në rezidencën e tyre në Jerusalem që para verës. Që nga gushti ai ishte mysafir në Porto Riko i një miliarderi të kriptomonedhave, dhe po i kalon këto 37 ditë konflikti kundër Hamasit në Miami. Edhe pse në moshën 32-vjeçare do të ishte mjaftueshëm për t’u bashkuar me rezervistët, por ai e kreu shërbimin e detyrueshëm në zyrë të zëdhënësve ushtarakë.
Edhe nga distanca ai ia jep zërin e tij mbijetesës politike të babait. Ggazeta Jerusalem Post ka rilançuar të dhënat e mbledhura nga një faqe për analiza mediatike. Yair nuk shprehet në vendet më të dukshme (X, Instagram), por përdor profilin e tij në Telegram për të distancuar babanë e tij nga çdo përgjegjësi që lidhet me fatkeqësinë e 7 tetorit dhe për t’ia vendosur atë udhëheqësve të ushtrisë ose inteligjencës.
Disa nga ndërhyrjet e tij tashmë janë dënuar për shpifje: kur Benny Gantz ishte në opozitë dhe ende nuk ishte ulur në këshillin e luftës, Yair përhapi emrin e gruas që supozohej të ishte e dashura e tij. Gantz e çoi çështjen në gjykatë dhe e akuzoi për shpifje. Yair humbi në gjykatë.
Tani Yair që konsiderohej trashëgimtari i mundshëm i udhëheqjes së ekstremit të djathtë izraelit thotë se ka kërkuar një vizë pune në Shtetet e Bashkuara, por ka frikë se do t’i refuzohet për shkak të sulmeve të tij të mëparshme ndaj administratës amerikane.
Top Channel