Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim ka realizuar një sondazh për të vlerësuar standardet e leximit në Shqipëri.

Në kuadrin e projekti “Libri dhe Leximi, vlerësime dhe matje”, u bënë sondazhe në grupime rastësore individësh dhe grupime lexuesish gjatë periudhës 1 tetor-3 nëntor 2023, përmes të cilëve synohej që të vlerësohej shkalla e leximit dhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me shprehitë e leximit, mënyra sesi lexohet, buxhetet që shpenzojnë çdo vit lexuesit, leximi në gjuhë të ndryshme, zhanret e pëlqyera, marrëdhëniet me botuesin, libraritë dhe bibliotekat, sfidat e leximit, etj,

Këtij studimi i mungon një matje në grup-moshat deri në 16 vjeç, por që Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim po punon me partnerët dhe do të bëjë së shpejti një vlerësim edhe për këtë grup-moshë lexuesish.

Sipas rezultateve të sondazhit, 82% përqind e shqiptarëve pohojnë se lexojnë.
Me një kampion prej 289 intervistues të rastësishëm, ku 43% janë të vendosur në Tiranë dhe 57% në qarqet e tjera si Durrësi, Korça, Shkodra dhe Elbasani pyetjes: “A lexoni libra?” 18% e të anketuarve janë shprehur se nuk lexojnë libra.
Në grupin e të intervistuarve që nuk lexojnë, 57% përqind shprehen se nuk kanë kohë, 33% parapëlqejnë mediume të tjera si TV, gazeta, Internet, 6% nuk kanë interes dhe vetëm 2% e justifikojnë mos leximin me pamundësitë financiare.

Shumica e individëve në Shqipëri e nisin procesin e leximit gjatë shkollës fillore (44%) dhe 37% gjatë periudhës së kopshtit, konkretisht në moshën 3-5 vjeç.
12% e personave e nisin leximin në moshën 11-15 vjeç dhe 7% e të anketuarve janë përgjigjur se e nisin mbi moshën 20 vjeç.
Duke iu referuar sondazhit, 43% e të intervistuarve shpenzojnë 5 000-10 000 lekë në vit për të blerë libra, shifër që përkon identik me numrin e librave që lexojnë çdo vit, përafërsisht 10-12 libra. 30% e të intervistuarve janë përgjigjur se harxhojnë 2000-5000 lekë në vit dhe vetëm 11% e tyre thonë se shpenzojnë më shumë se 10 000 lekë.
Paradoksalisht, mbi 60% e personave që kanë marrë pjesë në sondazhet tona e shohin çmimin e librit si të përballueshëm.
Gati gjysma e lexuesve që morën pjesë në sondazh thonë se lexojnë deri në 12 libra në vit, 26.3% e tyre lexojnë deri në 24 libra në vit dhe vetëm 7% lexojnë mbi 48 libra në vit, duke arritur kështu standardet e një lexuesi shumë të mirë. Sot çdo kinez lexon në një mesatare 4-5 libra në vit, çdo amerikan 5-6 libra në vit dhe në vende si Japonia, Finlanda, Suedia, etj, këto tregues janë më të lartë. Duke iu referuar standardeve të UNESCO-s, në Shqipëri ka një shkallë lexueshmërie të ulët. Sipas të dhënave të INSTAT, çdo vit blihen 1 1160 000 libra, një shifër kjo larg reales, nëse marrim në konsideratë shkallën e informalitetit që ka tregu i librit. Por, duhet thënë se në Shqipëri ka shumë punë për të bërë për promovimin e librit dhe leximit, duke e nisur këtë që nga fazat e hershme (madje UNICEF rekomandon për leximin e foshnjës që në fetus), ku vogëlushët të bien në kontakt me librin që në çerdhe apo në kopsht dhe të nxitet kultura e leximit edhe në familje.

Statistika më provokuese ka të bëjë me leximin në raportet gjinore
Mbi 58% e lexuesve në Shqipëri i përkasin gjinisë femërore dhe rreth 42% janë meshkuj. Libraritë fizike mbeten vendet ku shqiptarët pëlqejnë t’i blejnë librat 51% shkojnë në librari për të marrë një libër, 23.7% në libraritë online dhe rreth 22% ende pëlqejnë që të presin panairet e mëdha për të marrë libra.
Bibliotekat e kanë humbur peshën e tyre gjatë viteve të fundit. Vetëm 29% e lexuesve pëlqejnë që të marrin libra në biblioteka. Mësuesit/pedagogët, miqtë dhe libraritë online mbeten rekomanduesit më të mirë për dikë që është në kërkim të leximit. Në ndryshim nga situata kudo në botë, ku rreth 35% përdorin format e-pubBooks, shqiptarët ende pëlqejnë librin në formatin fizik. 82% e tyre duan ta prekin librin. Rreth 18% e personave që kanë marrë pjesë në sondazh lexojnë në formatin digjital, elektronik apo audiobook.
Ky indeks sjell një prirje të pazakontë që po ndodh me gjuhën e leximit të librave, duke pasqyruar një fenomen kërcënues jo vetëm për tregun e librit shqip, por edhe për gjuhën dhe kulturën shqiptare në një të ardhme të afërt. Vetëm 44.5% e lexuesve duan librin shqip, ndërsa 32.6% edhe në anglisht, dhe 22.9% edhe në gjuhë të tjera.
Shqiptarët dikur kanë qenë lexues të dhënë pas fictionit, por tashmë po e braktisin atë, duke u dhënë më shumë pas non-fiction . Rreth 2/3 e tyre duan të lexojnë të dy llojet e librit.
Mes zhanreve të romanit, pjesëmarrësit në sondazhin thonë se pëlqejnë romanin psikologjik 24.5%, sagën 23.1%, romancën 20% dhe ka një rritje të ndjeshme të zhanrit të misterit dhe thriller-it (mbi 19%).
Duke ju referuar të dhënave, lexuesit shqiptarë nuk kanë dëshirë që të marrin pjesë në klubet e librit, dhe për të ndarë përvoja leximi me të tjerët. Vetëm 16.9% thonë se marrin pjesë në një klub libri.
Një e dhënë interesante që ka dalë nga ky është se fushatat për promovimin e librit dhe leximit kanë ndikimin e tyre. Rreth 30% e tyre e pohojnë rëndësinë e tyre.
Shqiptarët duan të lexojnë më tepër; dhe kjo konfirmohet edhe tek pyetja e fundit e sondazhit: “Sa libra doni të lexoni gjatë vitit 2024?”
Konkretisht, 37% e pjesëmarrësve në sondazh shprehen se duan të lexojnë deri në 12 libra, 25.9% deri në 24, 19.7% deri në 36 libra në vit dhe 17.4% mbi 48 libra. Të dhënat mbi shprehitë e leximit, gjuhët e leximit, shijet sipas kategorive dhe zhanreve apo mjetet që përdorin për leximin e librit janë nxjerrë nga një bashkësi prej rreth 25 000 personash, të cilët i dhanë përgjigjet e tyre përmes e-mail-it. Siç edhe shihet nga të dhënat e grafikëve, mbi 500 lexues kanë marrë pjesë duke ju përgjigjur pyetjeve. Kjo bazë e të dhënave është më kontribuese për të vlerësuar më objektivisht këto parametra.

Për realizimin e këtij projekti bashkëpunuan Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim me mbështetjen e On Solution, një kompani e specializuar në fushën e matjes së kënaqësisë së konsumatorit dhe Bukinist.al, platforma më e madhe online e librit shqip.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA