Prokuroria: Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar në Greqi! Kryebashkiaku i Kuçovës rrezikon të humbasë mandatin

13/11/2023 13:49

Kryetari i bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari, sipas Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se ka qenë i dënuar në Greqi, duke rrezikuar kështu mandatin.

Sipas Prokurorisë, Hajdari rezulton që në 23 qershor të vitit 1999 është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje.

Kjo shkresë erdhi si përgjigje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e rezultateve të verifikimit pasi KQZ e akuzon kryebashkiakun se ka falsifikuar formularin e vetëdeklarimit që ka të bëjë me të dhënat personale, duke mos deklaruar gjeneralitete të mëparshme. Kërkesën në KQZ e dorëzoi koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Nga verifikimet e Prokurorisë, gjithashtu konfirmuar nga ministria e Drejtësisë greke, Kreshnik Hajdari rezulton i bashkëgjykuar i mitur dhe është dënuar me “masa riedukuese e qortimit”. Sipas drejtësisë greke, i pandehuri në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor.

Në dokumentin që i është dorëzuar KQZ, dhe mban firmën e prokurorit Kostaq Beluri, nuk është bashkangjitur një kopje vendimi pasi ai është asgjësuar. Vendimi i takon KQZ, ku pritet që gjatë mbledhjes së të martës të shqyrtojë dhe të vendosë për mandatin e socialistit, i cili u rizgjodh për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Kuçovës më 14 maj.

Kreshnik Hajdari triumfoi me 6904 vota dhe u pasua nga Lefter Maliqi me 6222 vota, të Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, teksa i treti u rendit Ilirjan Koxhaj i Partisë Demokratike.

Top Channel