Pas rënies, vjen sërish shkëlqimi! Cameron rikthehet në qeverinë britanike

13/11/2023 13:25

Mediat britanike e përshkruajnë si një rikthim shokues!

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron u emërua sot në postin e sekretarit të Jashtëm, pasi shefi aktual i ekzekutivit Rishi Sunak, riformatoi kabinetin e tij qeveritar. Kryeministër nga 2010-ta deri në 2016-tën, Cameron u tërhoq fillimisht me turpin e “Panama Papers” dhe përfshirjes së të atit në atë skandal, e më pas me dorëheqjen 7 vite më parë në vazhdën e rezultatit të referendumit të qershorit të atij viti, kur Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi Europian.

Cameron kishte drejtuar fushatën për të qëndruar në bllokun europian, e shpresoi deri në fund për fitore. Tani, 57-vjeçari, rikthehet triumfator. Zyra e Sunakut njoftoi se Mbreti Charles ka miratuar kërkesën që Cameronit t’i jepet një vend në Dhomën e Lartë të Parlamentit, çka ai lejon atij rikthimin ne qeveri si ministër, pavarësisht se nuk është zgjedhur si anëtar i Parlamentit.

Kthimi i tij i papritur në vijën e parë të politikës pason shtatë vite të kaluara duke shkruar kujtimet dhe duke u përfshirë në biznes, përfshirë kompaninë financiare Greensill Capital, e cila më vonë u shemb. Dështimi i kompanisë nxiti pikëpyetje rreth shkallës në të cilën ish-udhëheqësit mund të përdorin statusin e tyre për të ndikuar në politikën e qeverisë, pasi u tha se Cameron kontaktoi vazhdimisht ministra të lartë në vitin 2020 në interes të punës së tij.

Rikthimi i tij ne qeveri ka shqetësuar disa deputetë konservatorë, sipas the Guardian, të cilët e shohin me skepticizëm këtë lëvizje, e një prej tyre, Sophy Ridge e përshkroi si “njeri pa këllqe”, që u largua se nuk arriti t`i bënte ballë BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA