Më shumë se 100,000 persona marshuan të dielën në Paris në shenjë proteste kundër akteve në rritje të antisemitizmit, nxitur nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Në marshimin e zhvilluar nën masa të forta sigurie, mori pjesë Kryeministrja Elisabeth Borne, përfaqësues të disa partive të majta, konservatorë dhe centristë të partisë së Presidentit Emmanuel Macron, si dhe udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Vetë zoti Macron nuk ishte i pranishëm, por shprehu mbështetjen e tij për protestën dhe u bëri thirrje qytetarëve të ngrihen kundër “ringjalljes së antisemitizmit të shfrenuar” sikurse tha ai.

Ndërkohë kreu i partisë së ekstremit të majtë France Unbowed, Jean-Luc Melenchon, nuk iu bashkua protestës. Në një postim javën e kaluar në rrjetin social X ai shkruante se marshimi do të ishte “një mbështetje e pakushtëzuar për masakrën” në Gazë.

Autoritetet e sigurisë vendosën 3 mijë forca policie përgjatë rrugës ku u mbajt marshimi, mes një rritje alarmante të akteve kundër komunitetit hebre të Francës, që pas 7 tetorit, kur Hamasi kreu një sulm të përgjakshëm ndaj Izraelit.

Në Francë jeton komuniteti më i madh hebre në Evropë, por duke pasur parasysh bashkëpunimin e këtij vendi me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, aktet antisemitike kanë hapur tashmë plagë të vjetra.

Në marshimin e së dielës morën pjesë dhe anëtarët e familjeve të disa prej 40 shtetasve francezë të vrarë gjatë sulmit fillestar të Hamasit, si dhe të atyre që janë zhdukur apo rezultojnë të marrë peng nga grupi militant. Sipas policisë, në marshim morën pjesë 105 mijë vetë. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA