Izraeli çon karburant për spitalet në Gaza, Scholz: Jo armëpushim afatgjatë, ndihmon Hamasin!

13/11/2023 09:00

Forcat izraelite të mbrojtjes, IDF njoftuan se kanë furnizuar me 300 litra karburant për arsye mjekësore spitalin e Shifas në Gaza, por Hamasi sipas tyre, pengoi dorëzimin e karburantit.

Mbrëmjen e kaluar, IDF-ja koordinoi transferimin e karburantit e këtë mëngjes, trupat izraelite mbërritën në hyrjen e spitalit e lanë aty karburantin aq të nevojshëm, ndërsa publikuan edhe bisedën telefonike mes një zyrtari të lartë izraelit dhe një drejtuesi të spitalit të Shifasë.

“Do ta lëmë karburantin në kryqëzimin e Al Majlis A Tashri. Është kryqëzimi që lidh Omar al Muktar me rrugën Nasser. Do t`ju them unë në telefon. Pasi të lemë karburantin. Do të tërhiqemi, në mënyrë që forcat tona të mos jenë pranë kryqëzimit, kështu mund të shkoni e ta merrni”, thonë zyrtarët izraelitë.

IDF-ja publikoi dhe pamjet që tregonin ushtarët e saj duke transportuar karburantin. Ndërkohë, zyrtarët shëndetësorë dhe njerëzit e bllokuar brenda spitalit më të madh në Gazë i kanë hedhur poshtë pretendimet e Tel Avivit se po ndihmonte foshnjat dhe personat e tjerë të largoheshin e thonë se luftimet po vazhdojnë jashtë ndërtesës ku ndodhen inkubatorët dhe se spitali ka mbetur pa energji e furnizimet po pakësohen.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar thirret për armëpushim të menjëhershëm nëse ai nuk përfshin lirimin e pothuajse 240 pengjeve të hapura nga Hamasi, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, në sulmet e 7 tetorit, që nxitën luftën. Kancelari gjerman Olaf Scholz i hodhi poshtë thirrjet e disa shteteve arabe dhe myslimane për një armëpushim më të gjatë nga ana e Izraelit.

Scholz tha se mbështet pauzat për arsye humanitare në mënyrë që në Rripin e Gazës të mund të arrijnë ndihma ose që shtetasit e huaj të mund të largohen nga vendi, tha ai gjatë një eventi të gazetës “Heilbronner Stimme”.  Por ai shtoi se një armëpushim i menjëhershëm ose një ndërprerje më e gjatë e luftimeve nga Izraeli i mundëson Hamasit të rimëkëmbet dhe të blejë raketa të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA